Arrestohen dy drejtues të FNSH-së për shpërdorim detyre e korrupsion

08/05/2015 00:00

Dy drejtues të policisë së Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë janë arrestuar gjatë orëve të mbrëmjes së të premtes në Tiranë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Bëhet e ditur se personat e ndaluar janë Nevila Mamo, me detyre shefe e Logjistikës në Komisariatin e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe Genci Reçi, ish-Shef Shtabi në këtë komisariat. Dy personat e ndaluar akuzohen për kryerjen e veprave penale të  “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.

Në deklaratën e lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme thuhet se arrestim i tyre u krye si rezultat i një hetimi disa mujor nga SHÇBA-ja, Tiranë, në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë, në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Shtetasit e mësipërm nëpërmjet mekanizimit të falsifikimit të dokumenteve kanë abuzuar me detyrën duke shpërdoruar fondet publike për një periudhë 2-vjeçare, thuhet në deklaratë. Dëmi  ekonomik i shkaktuar buxhetit, është mbi 6 milion lekë të rinj.  

Shërbimet e Brendshme vazhdojnë hetimet për të zbardhur nëse në këtë skemë korrupsioni ka emra të tjerë efektivësh të përfshirë.

Top Channel