Kriza greke, Tsipras parashikon një fund të lumtur të negociatave

08/05/2015 00:00

Kryeministri grek, Alexis Tsipras parashikon në fund të lumtur, së shpejti, të negociatave të gjata me kreditorët e huaj në lidhje me njëmarrëveshje, që do të ofrojë likuiditet për grekët në këmbim të ndërmarrjes së reformave.

Edhe kreu i eurogrupit, që përbëhet nga ministrat e Financave të Eurozonës, ka deklaruar se bisedimet kanë pasur progres, edhe pse jo sa duhet për të nënshkruar marrëveshjen të hënën e ardhshme.

Gjithsesi, duke qenë se Greqia është në prag të shterimit të parave “cash”, zyrtarët e BE-së thonë se nuk ka ende një zgjidhje të ngërçit në bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Komisionin Europian dhe Bankën Qendrore Europiane, sa u përket disa pikave kyçe si pensionet dhe reformat për tregun e punës dhe objektivave të buxhetit.

“Organizimi dhe struktura e bisedimeve është përmirësuar ndjeshëm, krahasuar me atë çka qenë më parë, por jemi edhe disa hapa larg nga një situatë, të cilën mund ta përshkruanim si e duhura për një marrëveshje përfundimtare”, tha një zyrtar i lartë i Eurozonës.

Qeveria e radikalëve të majtë në Greqi, e cila erdhi në pushtet në fillim të këtij viti me premtimet për t’i dhënë fund politikave shtrënguese, ka zbritur me këmbë në tokë duke pranuar disa prej reformave antipopullore, të premtuara më herët nga qeveria e kaluar për shkak të programit të shpëtimit të vendit me ndihmat e ofruar nga BE-FMN.

Vendi përballet me rrezikun e falimentit për shkak të pamundësisë për të shlyer këstet e borxheve, si dhe të detyrohet të lërë Eurozonën, por negociatat kanë ecur aq ngadalë sa dhe huadhënësit kanë përjashtuar arritjen e një marrëveshjeje gjatë takimit të ardhshëm të ministrave të Financave të Eurozonës, të hënën që vjen.

Tsipras, i cili ka marrë përsipër të gjithë barrën e negociatave, tha përpara Parlamentit në Athinë se “kam besim që shumë shpejt do të mbërrijmë në fundin e lumtur dhe se, pavarësisht vështirësive, do të arrijmë të nënshkruajmë një marrëveshje, e cila do të përmbyllet shumë shpejt edhe nga Europa”.

Udhëheqësi i majtë tha se qeveria e tij “po bënte gjithçka duhej të bënte për të arritur një marrëveshje të ndershme dhe me përfitime të përbashkëta me partnerët tanë”, por nuk dha informacione në lidhje me “lëshimet” e kërkuara thuajse me imponim prej huadhënësve, për reforma të dhimbshme.

Top Channel