Pezullohet shefi i Komisariatit të Sarandës, u filmua duke dhunuar një qytetar

08/05/2015 00:00

Gazmend Shehu, shefi i Komisariatit të Policisë së Sarandës, është pezulluar mbrëmjen e vonë të së premtes nga detyra, pas publikimit të një video në rrjetet sociale, ku ky i fundit shfaqet duke qëlluar një të ri.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se, pas publikimit të videos është marrë menjëherë vendimi për pezullimin e Shehut, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Mësohet se ngjarja në fjalë ka ndodhur në muajin shkurt 2014, në një lokal në qendër të qytetit të Tepelenës, kur Shehu mbante detyrën e shefit të Komisariatit të këtij qytetit. Sipas policisë, ngjarja ka rezultuar për motive personale.

Për këtë çështje, bëhet e ditur se ka pasur edhe një kallëzim në prokurori nga i dëmtuari, çështje që pas është pushuar.

Megjithatë, pas publikimit të videos, Policia e Shtetit ka marrë vendimin për pezullimin e Gazmend Shehut si shef i Policisë së Sarandës, deri në sqarimin e plotë të ngjarjes.

 

Top Channel