Dita e katërt e protestave në Shkup, kërkohet dorëheqja e Gruevskit dhe e Jankullovskës

09/05/2015 00:00

Protestat antiqeveritare në Maqedoni kanë hyrë në ditën e katërt. Mijëra qytetarë përsëri kanë marshuar rrugëve të Shkupit për të ndaluar para godinës së Parlamentit, pasi policia nuk lejoi që protesta të zhvillohet para ndërtesës së qeverisë, ku ishte paralajmëruar të mbahet.

“Pres që pjesëtarët e policisë së shpejti të dalin në anën e protestuesve, sepse po mbrojnë njerëzit e gabuar. Dhe pasi të ndodhë kjo, më lehtë do të jetë ta rrëzojmë Gruevskin nga pushteti”, shprehet Stefan Jakshiç, një prej protestuesve.

Demonstruesit tentuan të protestojnë edhe para ndërtesës së Ministrisë së  Brendshme për të kërkuar dorëheqjen e ministres Gordana Jankullovska, por policia nuk i lejoi t’i afrohen ndërtesës së MPB-së. Edhe përkundër pengesave, qytetarët janë të vendosur të protestojnë në mënyrë të qetë deri në rrëzimin e qeverisë. Ata nuk përjashtojnë mundësinë që pushteti të përdorë dhunë kundër tyre për shuar protestat.

“Gruevski është i gatshëm të derdhë gjakun e qytetarëve për ta ruajtur pushtetin e tij dhe paratë që i ka vjedhur”, tha Safet Bishevac, një tjetër protestues.

Në pamundësi për të protestuar para godinës së qeverisë, protestuesit ndaluan për disa minuta në afërsi të banesës ku jeton Gruevski për t’ia dërguar porosinë e tyre.

“Protesta jonë për kryeministrin është që ai të japë dorëheqje dhe të mbajë përgjegjësi për të gjitha punët e paligjshme”, u shpreh një tjetër protestues.

Përveç Shkupit, protesta antiqeveritare po përhapen edhe nëpër qytete tjera të Maqedonisë.

 

Top Channel