Kitaristi i “Guns N’Roses”: Industria e muzikës i trajton fansat si kriminelë

09/05/2015 00:00

Kitaristi i “Guns N’Roses” ka kritikuar industrinë e muzikës, duke thënë se është në rënie dhe se ajo nuk diti si ta përdorte teknologjinë.

Ronald Jay Blumenthal, i njohur në skenë me emrin Ron Bumblefoot, mendon se industria e muzikës është një çmenduri, pasi i trajton fansat e saj si kriminelë.

Muzikanti 45-vjeçar ka dhënë një intervistë për “Jakarta Informer”, përmes së cilës ka thënë: “Industria e muzikës nisi t’i shikojë klientët e saj si armiq dhe të gjithë kanë hasur probleme për këtë arsye. Urime për studiot e regjistrimit! Keni bërë një rrëmujë të vërtetë dhe akoma nuk dini si të dilni prej saj”.

Më tej, duke folur për “sajtet” që shpërndajnë muzikë, ai tha se teknologjia ka qenë e mrekullueshme, por kompanitë e regjistrimit nuk ditën ta përdornin atë për të mirën e tyre, por i kanë kthyer fansat në kriminelë, duke marrë muzikë në mënyrë pirate.

“Si mund të rriten të ardhurat, kur miliona njerëz shkarkojnë muzikë falas?”, pyeti ai.

 

Top Channel