SHBA, avioni rrëzohet në autostradë; 4 të vdekur

09/05/2015 00:00

Një avion i vogël privat është rrëzuar në një autostradë në Atlanta të Shteteve të Bashkuara, duke lënë të vdekur 4 personat që gjendeshin në bord, ndërsa fatmirësisht askush tjetër nuk është lënduar, pasi është shmangur përplasja me automjetet.

“Eshtë një mrekulli që nuk pati automjete të përplasura me avionin”, tha një drejtues i zjarrfikësve.  

Avioni model “Piper PA-32” u rrëzua vetëm pak minuta, pasi ishte ngritur nga aeroporti “Peachtree” dhe menjëherë sapo u përplas me asfaltin, shpërtheu në flakë.

Autoritetet mbyllën menjëherë autostradën në të dy drejtimet e saj, për ta pastruar atë, por edhe për të mbledhur sa më shumë të dhëna që do të zbardhin shkaqet e rrëzimit të avionit. Mbyllja e autostradës krijoi probleme të mëdha në qarkullimin e automjeteve.

 

Top Channel