Maqedoni, përleshje e armatosur në Kumanovë; ngjarja në lagjen me shqiptarë

09/05/2015 00:00

Të shtëna të shumta kanë tmerruar për rreth dy orë banorët e Kumanovës, në Maqedoni, mëngjesin e së shtunës. Krismat me armë zjarri dhe helikopterët që kanë fluturuar mbi qytet kanë krijuar një atmosferë lufte.

Sipas informacioneve të para, bëhet fjalë për një përleshje të armatosur që ka nisur rreth orës 5 të mëngjesit mes focave të policisë maqedonase dhe një grupi të armatosur.

Përleshja është zhvilluar në “Lagjen e Trimave”, të banuar me shqiptarë, që ndodhet rreth 700 metra nga qendra e qytetit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski, tha se policia ka ndërmarrë një aksion pas informacioneve për lëvizje të një grupi të armatosur në atë pjesë të Kumanovës.

Në këtë lokalitet janë stacionuar forca të shumta të policisë, që kanë bllokuar rrugët drejt lagjes ku ka ndodhur përleshja. Autoritetet zyrtare nuk japin asnjë informacion mbi ngjarjen.

Jozyrtarisht flitet për 15 të plagosur, mes të cilëve agjentë të policisë, si dhe për 5 policë të vrarë. Por lajmet janë të pamundura të konfirmohen.

Ndërkohë, banorë shqiptarë në Lagjen e Trimave kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë filluar të zhvendosen në lagje të tjera. Të kontaktuar nga TCH, ata kanë thënë nuk e kanë të qartë se cilët janë personat që janë përleshur me policinë.

Top Channel