Korea e Veriut teston “me sukses” raketën ujore

09/05/2015 00:00

Korea e Veriut ka deklaruar se ka testuar me sukses një model rakete që lëshohet nga nëndetëset, që nëse rezulton e vërtetë, do të jetë një përparim i rëndësishëm në arsenalin e saj bërthamor.

Foto të publikuara në mediat shtetërore tregonin liderin koreano-verior Kim Jong un që shihte një raketë të qëlluar jashtë ujit.

Analistët thonë se Korea e Veriut zotëron koka të shumta bërthamore, por zhvillimi i fundit mund të përbëjë një avancim, pasi objektet që qëllohen nga nëndetëset janë të vështira për t’u lokalizuar.

Gjithsesi, testi i fundit nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. Media shtetërore në Penian shkroi për raketën si një objekt “që vërshoi me një vijë zjarri nga pas”, por nuk përmendi datën dhe vendin e kryerjes së testit.

Një mundësi është qyteti lindor bregdetar, Sinpo, ku pamjet satelitore të publikuara më herët gjatë vitit treguan një nëndetëse që pajisej me aparate lëshimi të raketave.

Kim Jong un deklaroi se vendi i tij tashmë zotëron një “armë të nivelit strategjik botëror, në gjendje të godasë dhe shkatërrojë në ujë forcat armike që godasin sovranitetin dhe dinjitetin e Koresë së Veriut”, thuhet në media.

Një test i tillë do të shkelte sanksionet e OKB-së që e ndalojnë vendin e izoluar aziatik të përdorë teknologji ushtarake balistike. Deri tani, raketat e saj kanë qenë tokësore dhe në gjendje të godisnin vetëm vendet fqinje.

Gjithashtu, Korea e Veriut dyshohet se po përpiqet të zvogëlojë përmasat e kokave bërthamore për t’i montuar ato në raketat e saj.

Top Channel