Rusi, paradë ushtarake madhështore për 70-vjetorin e luftës

09/05/2015 00:00

Në Rusi po mbahet këtë të shtunë parada më e madhe ushtarake, që shënon 70-vjetorin e fitores ndaj nazistëve gjermanë në Luftën e Dytë Botërore.

Mijëra trupa po marshojnë në Sheshin e Kuq të Moskës, ku do të shfaqen gjithashtu armatime të teknologjisë së lartë.

Mbi 20 krerë shtetesh janë mbledhur në Moskë, por shumica e liderëve botërore e kanë bojkotuar eventin për shkak të rolit të Rusisë në krizën ukrainase.

Në fillim të paradës, Presidenti Vladimir Putin tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është vënë në rrezik në vitet e fundit.

Njësi të shumta ushtarake nga e gjithë Rusia, disa prej të cilave të veshura me uniforma të Luftës së Dytë Botërore, po marshojnë në kryeqytet, ndërsa avionë luftarakë kanë fluturuar mbi Sheshin e Kuq.

Arma më e përfolur ruse është tanku “T-14 Armata”, pajisjet luftarake të të cilit mund të kontrollohen në distancë, ndërsa ka edhe një kapsulë të përforcuar për ekuipazhin.

Në këtë shfaqje ka parakaluar edhe një autokolonë raketash ndërkontinentale “RS-24”, që janë në gjendje të transportojnë 3 koka bërthamore.

Presidenti kinez Xi Jinping, Pranab Mukherjee i Indisë dhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, janë mes rreth 20 liderëve botërorë që po ndjekin eventin.

Në shenjë afrimiteti mes Rusisë dhe Kinës, në paradë ka parakaluar për herë të parë edhe një kolonë ushtarësh kinezë.

Ndërkohë, krerët e shteteve nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja dhe të vendeve të BE-së e kanë bojkotuar ceremoninë, në shenjë proteste ndaj përfshirjes së Rusisë në konfliktin ukrainas.

 

Top Channel