Kosova, takim me banorët në Zall-Bastar dhe Zall-Herr

09/05/2015 00:00

Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Halim Kosova u takua dje me banorë të Zall-Bastarrit dhe Zall-Herrit, lokalitete që vuajnë mungesën e rrugës, mungesën e tregut për të shitur prodhimet, papunësinë dhe skamjen.

Zall-Bastarri i është bashkuar Tiranës me ndarjen e re, por distanca e banorëve me qendrën tani është të paktën 1 orë e gjysmë me makina të larta, për shkak të rrugës së pashtruar.

“Unë e kam ndarë mendjen që të tregoj në këtë vend se ndershmëria nuk ka vdekur dhe me ndershmëri ndryshojnë gjërat. Ky është qëllimi im”, u shpreh Kosova.

“Nuk futem fare se çfarë partie ke qejf, çfarë s’ke qejf. Çfarë të duan të bëjnë njerëzit, nuk përzihem tek kjo. Por ama ne, kur bëjmë një investim në një zonë, e zëmë një rrugë, aty kalon demokrati, socialisti, i LSI-së, kalojnë të gjithë me radhë. Por, prioritet nuk do të jenë përkatësitë politike, por do të jenë hallet e miletit”, vijoi Kosova.

Edhe në Zall-Herr, që qeveriset aktualisht nga të majtët, situata nuk ndryshon aspak. Shumë ankesa, halle e shqetësime, asnjë investim.

“Bashkë me urbanistët kemi hapur hartën e Tiranës dhe puna e parë, se nuk është se unë bëj rrugë, por unë gjykoj bashkë me të tjerët, me specialistët, si të bëjmë më të mirën dhe e kemi hapur dhe kemi menduar se si të lidhen gjithë komunat dhe fshatrat me qendrën”, u shpreh Kosova.

 

Top Channel