SHBA, Nishani mban ligjëratë mbi tolerancën fetare në “Manhattan College”

09/05/2015 00:00

Në “Manhattan College”, në Riverdale të Nju Jorkut, Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një bashkëbisedim me studentë dhe profesorë, ku mbajti ligjëratën me temë “Mbi tolerancën fetare”, në kuadër të programit kolegjial “Holokausti, Genocidi dhe Edukimi Ndërfetar”.

“Marrëdhëniet historike mes shqiptarëve dhe hebrenjve janë aq të hershme, sa fillesat e tyre të dokumentuara e kanë origjinën rreth dy mijëvjeçarë më parë, që në vitin 70 të erës sonë. Në Shqipëri, hebrenjtë jo vetëm që nuk u përndoqën, duke u bërë viktima të shfarosjes, përkundrazi u strehuan, u mbrojtën dhe u shpëtuan. Sot në shekullin e XXI, vendi im vazhdon t’i ofrojë botës mbarë të njëjtin model, si një shtet ku gjallojnë 6 besime zyrtare fetare, si dhe ku mbizotëron toleranca, harmonia dhe bashkëjetesa fetare, një diamant i ndritur në kurorën e mahnitshme që mban mbi krye Shqipëria. Shembulli ynë i rrallë përbën një pasuri ende të paçmuar, të cilën ne kemi detyrimin jo vetëm ta evidentojmë e ta përhapim, por edhe ta ndajmë atë bujarisht me vendet dhe popujt e tjerë, sepse në fund të fundit është pasuri e mbarë njerëzimit. Ky është njëri prej misioneve më fisnike të ndërmarra ndonjëherë nga një popull i vogël, si ai shqiptar”, ka thënë Presidenti Nishani.

Më pas, Presidenti Nishani dekoroi ambasadoren Rosemari di Carlo me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje të thellë për kontributin e saj të spikatur politik e diplomatik në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve historiko-tradicionale amerikano-shqiptare, si dhe për përparimin e çështjes shqiptare, sidomos të fitimit të mëvetësisë së Kosovës.

Presidenti dekoroi gjithashtu edhe rabinin Arthur Scheiner, “për merita të veçanta civile”. Nishani vlerësoi kontributin dhe punën e tij të palodhur e të pakursyer çerekshekullore në favor të paqes, mirëkuptimit dhe tolerancës, në mbrojtje të çështjes shqiptare dhe farkëtimit të lidhjeve historike, si dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve dhe hebrenjve.

* Por, Presidenti Nishani ka folur edhe për ekstremizmin dhe fenomenin ISIS. Shqipëria ka pasur reagim adekuat të institucioneve ndaj rekrutimit të ‘luftëtarëve të huaj’, është shprehur kreu i shtetit gjatë ligjërimit në fjalë. Ai tha se Shqipëria, e prekur nga ky fenomen, ka qenë ndër të parët që i është bashkuar aleancës ndërkombëtare kundër ISIS.

“Shqipëria është e prekur nga fenomeni i të ashtuquajturve ‘luftëtarë të huaj’, të cilët u janë bashkuar grupeve dhe organizatave terroriste në Siri dhe Irak. Dëshiroj t’ju informoj dhe garantoj se ka pasur një reagim adekuat të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë duke hetuar, goditur dhe penalizuar më së pari burimet e rekrutimit të këtyre individëve, duke identifikuar dhe analizuar arsyet që motivojnë dhe nxisin individë të bëhen pjesë në akte dhe veprimtari terroriste. Deri tani kemi pasur sukses në këtë drejtim dhe jam i bindur që edhe në të ardhmen do të kemi sukses”, u shpreh Presidenti Nishani.

Gjatë ligjëratës së tij për tolerancën fetare dhe për hebrenjtë, kreu i shtetit vuri në dukje se shqiptarët, të shpërndarë në disa shtete si Lugina e Preshevës, Maqedonia, Mali i Zi, janë investitorët kryesorë të paqes dhe imazhit të ri të Ballkanit. Ata po mbështesin proceset demokratike dhe euro-integruese në vendet ku jetojnë. Presidenti theksoi gjithashtu edhe karakteristikën qindravjeçare të shqiptarëve, atë të besës, mbi bazën e së cilës shqiptarët kanë mikpritur miq e armiq.

Top Channel