PS prezanton 61 kandidatët për Këshillin Bashkiak, Veliaj: Fitojmë me këtë ekip

09/05/2015 00:00

Kandidati i Partisë Socialiste Erion Veliaj ka prezantuar 61 përfaqësuesit e PS-së për këshillin bashkiak të Tiranës. Sot është dita e Europës, tha Veliaj, ndaj theksoi se vetëm në ekip dhe të bashkuar mund të arrijmë atë që duam.

“Dhe unë besoj që kjo ditë e sotme, dita e Europës, është dita e mrekullive që ndodhin kur ne punojmë bashkë. Dhe dua që të gjithë deputetëve që ishin ekipi fitues i Tiranës t’u japim një superduartrokitje dhe një falenderim nga zemra, sepse ishit kyç në drejtimin e ekipit të fitores. Ne duam një qytet ku nga ai që pastro rrugët, te ai që korr barin, te ai që ndërron poçat, te ai që vë pusetat, te ai që inspekton tregjet, te ai që punon në ujësjellës të kuptojë që ne jemi një ekip dhe duam të ndërtojmë një ekip, ku i pari i ekipit të jetë i pari që shërben dhe i fundit e di që shërben në këtë mision për një ekip të përbashkët, për një qytet ku duam të jetojmë të gjithë. Fitorja nuk erdhi vetëm, Edi Rama kishte nevojë për këtë ekip, Saimir Tahiri në Tiranë kishte nevojë për këtë ekip. Atje në Gjirokastër kishim nevojë për këtë ekip. Sot në Tiranë kemi nevojë për ekipin e 61 kandidatëve që ne të fitojmë, sepse asnjë nuk ia del dot vetëm”, tha Erion Veliaj, kandidati i PS-së për bashkinë e Tiranës.

Ndër emrat e këshilltarëve të majtë mbizotërojnë femrat, por në këtë ekip do të ketë edhe një gjinekolog si kundërpeshë e kandidatit demokrat.

“Dua që të mirëpresim me një duartrokitje në PS, doktor Orion Gliozhenin, një gjinekolog i shkëlqyer dhe i njohur i qytetin tonë. Po bëja shaka me doktor Gliozhenin se të paktën tani e kemi të garantuar që të paktën një gjinekolog do të futet në bashki”, vijoi Veliaj

Përvecv ekipit të këshilltarëve Veliaj ka vlerësuar të gjithë deputetët e Tiranës, të cilët i ka përmendur me radhë për kontrbutin e dhënë për fitoren e 2013.

“Në të tilla ditë sa gjëra thuhen, dhe sa gjëra nuk thuhen. Por kapiteni i skuadrës nuk ishte Saimir Tahiri, ishte dikush tjetër. Po në kohë fushate kapiten jam unë, pastaj vijmë në pushtet dhe ndërrojnë gjërat. Këta socialistët e mi të vjetër më kuptojnë shumë mirë mua për çfarë e kam fjalën. Erioni dhe Saimiri janë një dyshe e padiskutueshme. Mua më kujtojnë veten dhe Ilir Metën, por pavarësisht gabimeve që ne bëmë sot jemi përsëri bashkë. Keni të drejtë të përfitoni nga ato që nuk kanë shkuar me dyshen tonë. Ngrihemi në këmbë dhe të brohorasim të gjithë së bashku për fitoren e Partisë Socialiste dhe Erjon Veliajt”, tha Majko.

Veliaj ka bërë thirrje që në 21 qershor të votojnë për drejtimin e duhur në Tiranë

“Ne kemi katër vjet që kemi humbur një thesar, që e kërkojmë, u ndamë nga ato dhjetë vota. Ka ardhur koha të kërkojmë thesarin në shtëpinë tonë, Tirana është shtëpia jonë, vendi ku do të rrisim familjet tona, do të gjejmë punën tonë dhe do të ndërtojmë të ardhmen tonë. Tirana është thesari ynë. Fitore, fitore, të gjithë bashkë”, tha Veliaj.

Top Channel