Panairi i Librit “Tirana Open”

09/05/2015 00:00

Është prezantuar në Panairin e Librit “Tirana Open”, “Traktat mbi Tolerancën” nga Volter, i sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Saras”. Të pranishmit në këtë promovim u shprehën se libri të fton të reflektosh.

“Është një libër për tolerancën, për këtë vlerë njerëzore që i mungon sot politikës, shoqërisë dhe kulturës. Është një libër që të fton për reflektim”, tha redaktorja Alda Bardhyli.

“Mjafton ta prekësh e ta lexosh Volterin dhe kupton një gjë, që në shumë rrethe të lexuesve është marrë Volteri si shembull i atij vendi. Kjo nuk është e vërtetë. Në radhën e iluministëve të kohës, të tërë ata ishin ateistë, ndërsa Volteri i qëndron besnik të qenit fetar me besimin tek Zoti, por kundërshton fanatizmin, dogmatizmin dhe destruktivitetin fetar”, vlerësoi Bajram Peçi.

Ndërkaq, Mustafa Nano e cilësoi këtë libër si aktual për periudhën që po kalojmë. “Këndvështrimi im është se ky libër është i rëndësishëm për të gjitha kombet, të gjitha kohët, por sidomos për kohët e sotme dhe për ato kombe që kanë natyrë multifetare. Dhe një nga këto kombe është edhe Shqipëria, ndaj toleranca fetare u përket të gjithëve, të paktën në Europë”, u shpreh Nano.

 

Top Channel