Spitali i ri Amerikan në Prishtinë, ministria nuk i jep licencën

09/05/2015 00:00

Spitali Amerikan, i cili prej vitesh ushtron aktivitetin e tij në periferi të Prishtinës, ka investuar 25 milion euro në godinën e re brenda në qytet, ku pritet të transferohet. Mirëpo këtij spitali ende nuk i është dhënë licenca për ndryshim lokacioni nga Ministria e Shëndetësisë.

Pas disa kërkesave pa përgjigje, shkresën e fundit për leje, Spitali Amerikan ia ka dërguar ministrisë këtë të premte. Klodian Allajbeu, drejtor i përgjithshëm i Spitalit Amerikan, tha për Top Channel se për rreth një muaj po presin licensimin nga institucionet përkatëse për të vazhduar punën në ndërtesën e re.

“Jemi duke biseduar me institucionet, për rreth 1 muaj dhe presim që për një kohë të shkurtër brenda muajit maj të zgjidhim procedurat ligjore dhe të vazhdojmë me punën tonë këtu. Por, dua të theksoj që për sa i përket aspektit ligjor ne jemi konform ligjeve të shtetit në Kosovë dhe konform të gjitha procedurave ligjore të nevojshme për të bërë aktivitetin në Republikën e Kosovës.”, tha Klodian Allajbeu, drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Amerikan.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, tha se ministria është duke trajtuar kërkesën e spitalit në fjalë, por sipas tij, arsyeja e vonesës ka të bëjë me sqarimin e disa çështjeve ligjore lidhur me pronën ku është ndërtuar spitali i ri.

“Sa i përket Spitalit Amerikan, Ministria e Shëndetësisë do ta trajtojë edhe kërkesën e tij sikurse i trajton edhe gjitha kërkesat e palëve që parashtrojnë për licensim. Mirëpo vendimi nuk do të mund të merret deri sa të përfundojnë disa procedura apo disa pretendime të ngritura në opinion për të cilat ne kemi informacione që po merret edhe prokuroria e shtetit. Në momentin që sqarohen disa çështje ligjore, disa çështje që kanë të bëjnë me prona dhe aspekte të tjera, atëherë Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht vet qeveria e vendit do t’i ketë duart e lira që të marr një vendim meritor rreth këtij spitali.”, u shpreh Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, Kosovë.

Top Channel është përpjekur të kontaktojë me prokurorinë themelore në Prishtinë në lidhje me këtë hetim, por pa përgjigje. Por mësohet se trualli ku është ngritur spitali i ri i është dhënë fillimisht në shfrytëzim/ qiradhënie të tokës për ndërtim objekti, Qendrës Kardiale të Kosovës në vitin 2005, e cila duhet të ndërtonte një spital kardiokirugjik. Ndaj dhe çështja është dërguar në prokurori me pretendimin se ka të bëjë me një kontratë mbi kontratë. Sqarime lidhur me këtë çështje janë kërkuar pak muaj më parë edhe përmes pyetjeve parlamentare të deputetit të LDK-së, Arben Gashi. Ndëra në opinion është ngritur edhe shqetësimi për praninë e një objekti spitalor privat pranë QKUK-së, gjë që më parë ishte e ndaluar e më pas është shfuqizuar me një vendim tjetër të qeverisë Thaçi.

“Spitali Amerikan do të duhej të fillonte punën në lokacionin e ri me 11 maj. Nëse kjo i lejohet ose jo, ende nuk ka marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës. e gjithë përpjekjet e Top Channel për të kontaktuar kabinetin e kryeministrit Isa Mustafa, qeveria ka heshtur. Për dy ditë radhazi është kërkuar sqarim nga zëdhënësi i qeverisë Arban Abrashi, por Top Channel nuk ka marrë përgjigje lidhur me këtë cështje”, raporton korrespondentja e Top Channel në Prishtinë, Dia Morina.

Spitali Amerikan i cili pritet që me këtë zhvendosje të shtojë edhe numrin e të punësuarve deri në rreth 500, do të detyrohet të ikë nga Kosova, në rast se nuk pajiset me licensë ndryshimi të lokacionit. “Do të ikim, cdo gjë do të mbaroj dhe do të ikimi. Nuk ka zgjidhje tjetër, por që nuk presim që të mos marrim licensën”, ka thënë Allajbeu.

Top Channel