Shqipëria dënon aktet e dhunës në Maqedoni dhe kërkon vetëpërmbajtje, por njëkohësisht vlerëson edhe si të papranueshme që një grup personash të armatosur identifikohen etnikisht.

Në një dalje para gazetarëve, ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati kërkoi që të shmanget gjuha e urrejtjes dhe palët të punojnë sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit, si e vetmja rrugë për integrimin e Maqedonisë.

“Mesazhi ynë është i qartë: dënojmë çdo akt dhune, duke e konsideruar atë të papranueshëm për një shoqëri demokratike. Njëkohësisht, konsiderojmë të papranueshme që çdo person apo grup personash të armatosur të identifikohen etnikisht, ashtu sikundër është e papranueshme që humbja e jetës së civilëve e policëve të vendoset në sfondin e paragjykimit etnik. Mirëkuptojmë shprehjen e revoltës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në kushte të një paqartësie. Por, bëjmë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm i situatës, nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetit të Maqedonisë.”- deklaroi Bushati.

Bushati tha se me interesimin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Rama, Ministria e Punëve të Jashtme, që në çastet e para të kësaj krize ka qenë në komunikim e konsultim të ngushtë me autoritetet dhe aktorët politikë e shoqërorë në Maqedoni, dhe me partnerët ndërkombëtarë.

“Gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme duhet t’i lenë vend angazhimit ndaj të drejtave themelore, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe perspektivës euro-atlantike. Harmonia e marrëdhënieve ndëretnike, sanksionuar në Marrëveshjen e Ohrit, me bekimin e komunitetit ndërkombëtarë, është thelbësore për stabilitetin demokratik dhe busull orientuese për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë”- thuhet më tej në deklaratë.

Top Channel