Basha: Rama fajtor për eksodin. Promovoi kriminelët

09/05/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, me rastin e Ditës së Europës zhvilloi një takim me të rinjtë e forumit rinor.

Basha zgjodhi për këtë takim pikën kufitare të Muriqanit në një shesh të rrethuar me autobusë që simbolizon largimin e shqiptarëve.

Basha tha se Edi Rama është pengesë për integrimin e vendit, ndonëse statusi kandidat u dha falë përpjekjeve të Partisë Demokratike, sot nuk kemi një datë të çeljes së negociatave për anëtarësim, pasi siç tha Basha, dyshja Rama-Meta ka promovuar njerëzit e krimit.

“Ngritjen dhe veshjen me pushtet të personave të innkriminuar dhe trafikantëve të drogës, të prostitucionit, njerëzit që kanë shitur dinjitetin e motrave tona në rrugët e Europës, njerëzit e krimit të organizuar, të cilët i ka bërë drejtora, i ka futur në parlament. Me regjinë qendrore shpenzon 6 mijë euro në muaj, vetëm që surretërit e pushtetarëve të dalin katër herë në ditë në televizor. Vetëm në muajin e kaluar, 4700 bashkëqytetarë tanë kërkuan azil, 1700 më shumë se në Mars, që do të thotë se përkeqësimi vazhdon, se e keqja vazhdon të zbatohet ditë pas dite”- deklaroi Basha.

Me pas kreu i Partisë Demokratike, duke fajësuar qeverinë për largimin e shqiptarëve u shpreh; ‘‘Vetëm tre muajt e parë kanë kërkuar azil politik 11 mijë e 200 mijë shqiptare, por numri real është akoma më i madh, e keqja zmadhohet çdo ditë  dhe shqiptarët nuk shohin asnjë shpresë, vetëm largimit dhe mesazhi im është që jo të largohen shqiptarët, por të largohet Qeveria me votën e  21 Qershorit”.

Më herët Basha ishte në Bashkinë e Fushë-Arrëzit ku prezantoi kandidatin demokrat. Në këtë takim ai bëri përgjegjës kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit për varfërinë në shumë zona të vendit.

“Ka një padurim të madh, një padurim për 21 Qershorin, për të shprehur me votën e tyre, gjykimin e tyre, për t’i dhënë vlerësimin e merituar qeverisë që i la në mes të katër rrugëve, ndaj 21 Qershori nuk po afron aq shpejt sa duhet, ndaj shqiptarët janë të bashkuar dhe të paduruar për t’i dhënë me votë ndëshkimin kësaj Qeverie”- u shpreh Basha.

Top Channel