Moska demonstron forcën , mijëra trupa në paradën ushtarake

09/05/2015 00:00

Moska u bë skenë e paradës më të madhe ushtarake të mbajtur ndonjëherë në Rusi, një ngjarje gjigante që kremton 70-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Ashtu siç ishte parathënë, parada u bojkotua nga mjaft udhëheqës perëndimorë për shkak të krizës së Ukrainës. Në kryeqytetin rus kishin mbërritur për eventin historik rreth 20 krerë shtetesh, të ftuar të shohin parakalimin e mijëra trupave në “Sheshin e Kuq”, si dhe mjete luftarake të teknologjisë së lartë, të shfaqura në publik për herë të parë.

Parada ruse e fitores ishte mbi të gjitha një demonstrim force. Shumë prova janë bërë në rrugët e Moskës në mënyrë që eventi të zhvillohej pa të meta.

Disa prej njësive ushtarake nga i gjithë vendi, që marshuan në shesh, mbanin veshur uniforma të periudhës së luftës. Më shumë se 100 avionë fluturuan në zonë, ndërsa pajisja, ndoshta më e përfolur e teknologjisë së lartë ushtarake, është tanku i betejës “T-14”, gryka e të cilit kontrollohet në distancë me telekomandë, ndërsa kabina e ekuipazhit është shumë më e përmirësuar në krahasim me modelet e tjera.

Top Channel