Tensioni në Kumanovë, Jankullovska: 5 policë të vrarë dhe 30 të plagosur

09/05/2015 00:00

Pesë policë janë vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur, gjatë luftimeve të një dite më parë në Kumanovë. Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska.

Ajo tha se, nuk ka të dhëna për vrasjen e civilëve gjatë përleshjes, ndërsa nuk dha informacione as mbi numrin e personave të armatosur, që kanë mbetur të vrarë.

“Të gjithë kolegët tanë që humbën jetën, luftuan kundër një grupi terrorist jashtëzakonisht të rrezikshëm, që përbënte një kërcënim serioz për institucionet e shtetit, por mbi të gjitha për sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Aksioni policor vazhdon ende, – tha Jankullovska rreth 1 orë para mesnate – dhe nuk do të përmbyllet, deri sa të jemi të sigurt se kemi neutralizuar edhe terroristin e fundit”, tha Gordana Jankullovska, ministre e Brendshme në Maqedoni.

Jankullovska shtoi se nuk dëshiron të spekulojë për motivet e pjesëtarëve të grupit, por – sipas saj – ata kanë tentuar të shfrytëzojnë momentin në të cilin ndodhet vendi, për të sulmuar institucionet shtetërore.

Sipas shefes së Policisë, sulmuesit ishin nga Maqedonia dhe nga një vend fqinj, të cilit nuk ia përmendi emrin. Jankullovska tha se personat e armatosur ishin të pajisur me armë automatike, granata dhe snajper.

Ndërkohë, përfaqësitë e SHBA-ve dhe BE-së në Shkup dënuan dhunën dhe bënë thirrje për të ruajtur qetësinë, e për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Edhe partitë politike shqiptare kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë ftuar qytetarët, që të mos bien pre e provokimeve.

Top Channel