Festivali i parë i kanabisit në Athinë, kërkohet dekriminalizimi i përdorimit

10/05/2015 00:00

Duke mbajtur në duar pankarta, në të cilat shkruhej “Natyra nuk është e paligjshme” dhe “Kanabisi është një ilaç”, qindra qytetarë grekë janë mbledhur prej mesditës së të shtunës, deri në orët e vona të mbrëmjes në sheshin para Parlamenit në Athinë, për të marrë pjesë në evenimentin e Festivalit të parë të kanabisit, të zhvilluar në kryeqytetin grek.

Pjesëmarrësit, kryesisht të rinj dhe anëtarë të grupeve që shprehen pro legalizimit të kanabisit, i kanë bërë thirrje qeverisë së re të Aleksis Tsipras të ndryshojë legjislacionin aktual në Greqi dhe të lejojë përdorimin dhe vetëkultivimin e kanabisit për përdorim mjekësor.

“Ne sot përpiqemi të kërkojmë dekriminalizimin e përdorimit dhe vetëkultivimit të kanabisit. Ne besojmë se, në shekullin e XXI, me të gjitha informacionet e të dhënat shkencore që kemi në dispozicion, mund të konkludojmë se kanabisi, jo vetëm që nuk është i dëmshëm, por është shumë i dobishëm”, tha Dimitris Paraskevas, bashkëorganizator.

Organizatorët theksojnë se tashmë, më shumë se kurrë qeveria aktuale mund të bëhet më radikale, më progresive, në krahasim me të gjitha ato të mëparshmet dhe të sjellë një zgjidhje, duke përdorur modele që janë zbatuar tashmë në të gjithë Evropën.

Sipas tyre, modelet alternative janë testuar në dhjetëra vende të botës dhe ka prova konkrete, se dekriminalizimi i kanabisit sjell rezultate pozitive, si stabilizimin e numrit të përdoruesve, përmirësimin e sistemit shëndetësor përmes përdorimit mjekësor dhe reduktim të kriminalitetit.

Gjithashtu, ata deklarojnë se legalizimi i kanabisit do të sjellë rritjen e të ardhurave nga tatimet e drejtpërdrejta dhe indirekte, duke përfituar shteti deri në 2.5 mld euro në vit, ndërsa do të krijohen paralelisht edhe mbi 40 mijë vende pune.

Dy vjet më parë, pasi dha dorëheqjen, edhe ish-kryeministri Jorgos Papandreou kishte propozuar një përballje racionale të përdorimit të kanabisit, sipas modelit të Uruguajit, nën mbikëqyrjen e shtetit.

Top Channel