Përkujtimi i 9 Majit, Gideon Greif: Demoni i nazizmit ende nuk ka shkuar

10/05/2015 00:00

Gati 7 dekada kanë kaluar që nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore.

Nëse gjatë kësaj periudhe jemi përpjekur të marrim pak nga natyra e traditave dhe e kulturave të vendeve të ndryshme të Europës Perëndimore, e cila ka progresuar me qëllim ruajtjen e kujtesës ndaj viktimave të makinës kriminale naziste, në dorë do të na mbetet gjithmonë një foto tepër komplekse e së shkuarës, ngjarjesh dhe personazhesh, e cila pakthyeshmërisht evolon me kalimin e kohës.

Profesor Gideon Greif, një historian hebre, i cili është specializuar në Historinë e Periudhës së Holokaustit e veçanërisht në historinë e kampit të përqëndrimit dhe shfarosës të Aushvicit, ka një qasje krejt tjetër të festimit të ditës së fitores kundër nazizmit. Ai thotë se, përtej brohoritjeve të një Europe në luftën kundër një demoni të madh 7 dekada më parë, duhet të rishihet me realizëm se ky demon ende s’ka shkuar.

“E gjithë bota vazhdon të festojë më 9 Maj fitoren ndaj një armiku të madh, siç ishte nazizmi. Por nuk duhet të harrojmë se nga njëra anë ishte çlirimi nga ky pushtues dominant dhe i egër, e nga ana tjetër jo çdo gjë ka ndryshuar për mirë. E kam fjalën për gjuhën e urrejtjes dhe të konfliktit, që gjendet kudo nëpër botë, në çdo cep të saj. Kjo po ndodh fatkeqësisht dhe do të ndodhë, sidomos ndaj hebrenjve në veçanti. Ne, me gjithë dëshirën e mirë, duhet të jemi realistë në të parin e historisë. Nëse ne do të mund të takohemi edhe pas 300 vitesh, bota do të jetë po kjo me luftë dhe konflikte, sepse është pjesë e civilizimit dhe e përpjekjeve të tij, për t’iu përshtatur përplasjeve të qytetërimeve përgjatë shekujve. Ne duhet të jemi realistë. Sidomos në hebrenjtë, mbi të gjithë, duhet të jemi realistë. Bota me ne është e egër. Me sa duket, nuk është nevoja të keni një hebre afër për ta urryer atë. Ja merrni Gjermaninë për shembull, ka ende grupe neonaziste atje, pikërisht atje, ku nuk duhet të ketë. Por nuk është ky thelbi, problemi është diku gjetkë. Sot pra në botë ekzistokan ende pjesë të asaj makinerie, që i solli botës 70 vite më pare dëme aq të mëdha, potencialisht të larta në humbje njerëzore, vlera etnitetesh, kulturash të ndryshme etj. Meqë më pyetët për 9 Majin, lufta ka mbaruar sigurisht, por urrejtja jo. Ajo është ende këtu dhe do të vazhdojë të jetë këtu, përgjithmonë. Historia e botës ka ecur nëpër trajektore të ndryshueshme, herë bardhezi, e herë me ngjyra, por po kjo është. Ju kujtoj se në Bibël, në testamentin e vjetër gjendet një proverb shumë i bukur, njëkohësisht mjaft inteligjent: ‘Asgjë e re, nën Diell’. Çdo gjë është njësoj, sepse ne jemi po ata. Përsa kohë unë dhe ti nuk ndryshojmë, bota do të jetë po ajo”, deklaroi profesor Gideon Greif, studiues i Holokaustit.

Top Channel