Ligji për Arsimin e Lartë kundërshtohet nga Komisioneri i qeverisë belge në 17 nene

10/05/2015 00:00

Forumi për liri akademike dhe Lëvizja e Universiteteve kanë paraqitur para komisionerit të qeverisë belge për universitetet, kontestimet për projektligjin e Arsimit të Lartë.

“Së pari, ne e kemi konsideruar këtë ligj si një i tillë që nuk i zgjidh problemet e arsimit të lartë, nuk e reformon atë, e mbi të gjitha si një ligj që cënon rëndë autonominë e universiteteve. Kundërshtimet kryesore të Forumit kanë qenë për rolin dhe marrëdhëniet midis bordit dhe institucioneve të zgjedhura, si dhe për rolin shumë të madh që marrin agjencitë e krijuara nga qeveria në kontrollin e universitetit”, tha profesor Mark Marku.

Ndërsa komisioneri belg thotë se, ky projektligj duhet të ketë perspektivë europiane, por vëren se dokumenti më i rëndësishëm europian i periudhës kërkimore nuk përmendet fare. Komisioneri i qeverisë belge kundërshton nga ana tij rreth 17 nene të këtij projektligji.

“Neni 2 thotë se qëllimi i ligjit është të krijojë një sistem të unifikuar mësimdhënieje në kërkime shkencore në institucionet e Arsimit të Lartë. Ky nen është tërësisht e kundërta e prirjes europiane. Duhet të përqëndrohemi në krijimin e një sistemi gjithëpërfshirës dhe transparent. Idea është që sistemi i Arsimit të Lartë të jetë i diversifikuar dhe jo i standardizuar, pasi kjo pikëpamje do ta pengojë të ardhmen e sistemit të Arsimit të Lartë në Shqipëri. Një tjetër pikë, ndërkombëtarizimi i kontrollit të cilësisë nuk është i përfshirë aq sa duhet. Neni 3 lidhet me lirinë akademike. Përkufizimi europian është më i gjerë, sesa është përfshirë në këtë projektligj. Këtu lë dyshime për autonominë. Po kështu, autoriteti më i lartë qeverisës nuk mund të jenë as Ministritë dhe as shteti, por vet universiteti”, tha Prof. Dr. Jan de Broof, president i shoqatës europiane për legjislacionin dhe politikat arsimore.

Komisioneri i qeverisë belge për universitetet theksoi nga ana tjetër se, rektori i universitetit nuk duhet të emërohet nga Presidenti dhe se standardet për kontrollin e cilësisë duhet të jenë të përfshira në traditën universitare dhe jo të percaktohen nga Ministria.

Top Channel