Shkupi numëron vetëm policët e vrarë. Terr informativ për ngjarjet: Sulmuesit edhe nga një vend fqinj

10/05/2015 00:00

Mbi ngjarjet e rënda në kufijtë e një lufte të armatosur mes një grupi, të konsideruar terrorist nga zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, dhe forcave speciale të vendit fqinj në Kumanovë, tashmë janë bërë të ditura edhe të dhënat zyrtare.

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska ka bërë të ditur që prej mesnatës mes të shtunës dhe të dielës, se janë 5 policë të vrarë dhe 30 të tjerë të plagosur, duke mos zyrtarizuar asnjë informacion mbi viktima apo të plagosur në anën e grupit të armatosur, apo qoftë edhe civilëve në “lagjen e Trimave” të banuar nga shqiptarë.

Ndërkohë, mediet vendase informojnë për një polic të vrarë mëngjesin e së dielës, e ndërkaq e çojnë numrin e viktimave mes radhëve të policisë maqedonase në 7 efektivë. Mes tyre mësohet të jetë edhe një polic shqiptar nga Studeniçani i Shkupit.

Qeveria e Maqedonisë ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi këtë ngjarje të rëndë, për të cilën ka shpallur edhe dy ditë zie, duke nisur nga dita e diel 10 Maj, e deri të hënën më 11 Maj.

Top Channel