Petrelë, Veliaj: Të ndryshojmë kryeqytetin

10/05/2015 00:00

Kandidati i mazhorancës, Erion Veliaj, gjatë dëgjesës që ka zhvilluar me banorët e Petrelës, u ka kërkuar që të votojnë kandidatët e mazhorancës edhe në Këshiillin Bashkiak, si një formë për të ndryshuar kryeqytetin e një milion banorëve.

“Ne duam që të kemi dorë të lirë dhe kjo arrihet nëse votojmë jo vetëm për kandidatin, por edhe për partitë tona aleate në Këshillin Bashkiak. Në 100 ditët e para do e sjellim në normalitet Tiranën, do e ndalojmë krizën që po kalon qyteti dhe më pas do të nisim me rreth 100 projekte rrugësh”, theksoi Veliaj.

Veliaj, i cili ka qenë i shoqëruar nga deputetë të Partisë Socialiste, tha se gjatë vitit të parë do të ndërtohen 100 rrugë dhe do të shikohet ndalimi i ndërtimeve brenda Tiranës: “Unë besoj që në Tiranë nuk është me e nevojshme të jepen leje ndërtimi. Qyteti është i tejngopur me beton dhe ne do i inkurajojmë njerëzit të zgjerohen në zona të fshatit. Nëse ndërtohen shtëpi në fshatra, do të rritet vlera e tokës së fshatit dhe i sjell fshatit më shumë para”.

Në këtë takim, kandidati i mazhorancës është fokusuar edhe një herë te mosmbajtja e premtimeve nga kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës: “Saliu e mbështet vetëm nga Facebook-u dhe Luli nuk ka dalë një herë në publik sepse nuk kanë çfarë i thonë njerëzve. Nuk dalin dot në debat pasi nuk kanë çfarë i thonë njerëzve. Bashkinë e kanë të vetën edhe për 40 ditë, le ta bëjnë ndonjë punë, por nuk e kanë mendjen të bëjnë punë. Ndaj, na duhet një bashki që ta ketë mendjen për punë”.

Top Channel