Presidenti Nishani, në veprimtarinë e Sinagogës së B’nai Jeshurunit

10/05/2015 00:00

Në përfundim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mori pjesë në një veprimtari të veçantë të mbajtur në Sinagogën B’nai Jeshurun. Në këtë veprimtari, kushtuar mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët, sidomos nga ata myslimanë, u paraqit edhe projekti që do të nisë së shpejti për të evidentuar këtë shembull unik.

Pasi u prit nga Rabini Rolando Matalon dhe takua me të pranishmit e shumtë, Nishani mbajti një fjalë përshëndetëse, ku u shpreh i nderuar dhe i emocionuar për ftesën e veçantë dhe  gjestin mikpritës.
 
“Jemi që të gjithë banorë të përkohshëm në këtë rruzull, si myslimanët, ashtu edhe të krishterët, hebrenjtë apo budistët, pavarësisht se në cilën fe besojmë apo në cilin cep të globit jetojmë. Duke qenë të gjithë së bashku në këtë veprimtari, duke njehsuar synimet dhe qëllimet tona do të mund të shërbenim si një shembull i përkryer, duke pasur parasysh Shqipërinë në veçanti, se si njerëz të besimeve të ndryshme fetare mund të bashkëjetojnë, mund të punojnë dhe mund të triumfojnë për të luftuar dhe mposhtur përpjekjet në rritje të urrejtjes me baza fetare, të radikalizmit dhe të persekutimit të të tjerëve që janë ndryshme apo që nuk mendojnë e nuk sillen si ne”, u shpreh Presidenti i Republikës.

Top Channel