Cameron, fundjavë të ngarkuar me formimin e kabinetit

10/05/2015 00:00

Kryeministri britanik, David Cameron është duke kaluar fundjavën në konsultime për të formuar kabinetin e tij të ri në mandatin e dytë, pas zgjedhjeve të së enjtes, ku partia e tij, tej çdo parashikimi fitoi bindshëm shumicën.

Atij i duhet tashmë të zëvendësojë 5 vendet bosh, të mbajtura deri më sot nga ish-aleatët liberal-demokratë, viktima më e madhe e tërmetit politik të shkaktuar nga zgjedhjet e përgjithshme të kësaj jave.

Nuk kaluan as disa orë nga konfirmimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, kur kryeministri, pas takimit të kortezisë me Mbretëreshën, rikonfirmoi ministrat kryesorë të kabinetit, si mikun e tij të univeristetit, ministrin e Financave George Osborne, i cili mban tani edhe një post honorifik të barazvlefshëm me atë të zëvendëskryeministrit; si dhe ministrat e deritanishëm të Punëve të Jashtme, të Mbrojtjes dhe Ministren e Brendshme, Theresa May.

Kryeministri është duke u konsultuar me këshilltarët e tij për vendet vakante, pasi gjatë këtij mandati të dytë, Cameron do të qeverisë vetëm me ministra të partisë së tij Konservatore. Ai ka një shumicë prej 12 deputetësh në Parlament, duke qenë kryeminstri i dytë pas Thatcher, që shton mazhorancën në mandatin e dytë, edhe pse do të ketë më pak deputetë sesa kishte ish-kryeministri Mejxher.

Konservatorëve rebelë, por edhe euroskeptikëve jo të paktë në partinë e tij, pritet t’u jepen vende ministrash në kabinetin e ri, për të garantuar shumicën surprizë por të holluar në zgjedhjet e kësaj jave. Më shumë njoftime për kabinetin e ri të ministrave dhe vendet vakante me zëvendësministra pritet të njoftohen të hënën.

Ndërkohë, në partitë që humbën zgjedhjet dhe dhanë dorëheqjet udhëheqësit e tyre, ka filluar procesi i zëvendësimit të tyre.

Top Channel