Destinacionet më të mira për pushime këtë verë?

10/05/2015 00:00

Jugu i Francës? Ishte favorit vitin e kaluar, por nuk do ta gjeni në listën e vendeve të preferuara për të kaluar pushime të mrekullueshme këtë verë.

Më saktë, pushime prej VIP-ash, siç përshkruhen në blogun “The Style Traveller”, një udhërrëfyes për ata, që ndjekin modën në çdo gjë, edhe në frekuentimin e vendeve më të pferuara nga të famshmit.

E para vjen si gjithmonë “Meka” e padiskutueshme e pushimit, Ibizza. Me ditët plot diell, hotelet fantastike e plazhet e mrekullueshme, ishulli i festave nuk zhgënjen kurrë.

Tulumi në Meksikë rekomandohet gjithashtu, nëse ju pëlqen një largim nga e zakonshmja dhe një zhytje në botën e një fshati, dikur stil hipish, sot të transformuar në një parajsë të vërtetë e të shumëkuotuar.

Marakeshi i Marokut, ku tërhiqeshin në rehati “Rolling Stones”-at gjatë viteve ’60, i ka rifituar kredencialet e një vendi magjepsës ekzotik.

Si habitati i njerëzve më të bukur të botës, nuk është çudi që Rio de Zhaneiro i Brazilit rreshtohet edhe ai në listën e vendeve të nxehta të “fashionist”-ëve. E nuk i dihet sa njerëz të famshëm mund të ndeshni në tarracat e ndonjë hoteli luksoz atje, teksa jeni duke shijuar ndonjë koktej “caipirinha”.

I fundit, por jo për nga rëndësia, përmendet Majemi i Shteteve të Bashkuara, destinacioni i adhuruesve të festave, modës, yjeve të ekranit e të muzikës. Ka nga të gjitha, njerëz të thjeshtë e princesha të kirurgjisë plastike, një larmi që nuk të mërzit kurrë, pa përmendur pastaj dhe klubet e famshme të natës.

Top Channel