Duma: Projekt për agroturizmin e bujqësinë, për të hapur vende pune

10/05/2015 00:00

Gjatë vazhdimit të turit të saj në qytetin bregdetar të Durrësit, kandidatja e opozitës për kryebashkiake në zgjedhjet e 21 Qershorit, Grida Duma është ndalur për të takuar banorë të zonës së Ishmit, konkretisht në fshatrat Shkafane dhe Gjuricaj, ku ka diskutuar në lidhje me masat që premton të marrë për të ulur varfërinë dhe për të hapur vende të reja pune.

Kandidatja e PD-së, Duma ka theksuar se do të jetë një krah i fortë mbështetës për bujqësinë dhe agroturizmin, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të kësaj zone, të cilët nga ana e tyre janë shprehur se ndihen të mbushur deri në fyt me premtime boshe, ndaj dhe kërkojnë, sipas selisë blu, vënien në zbatim sa më shpejt të projektit të kandidates së kësaj force politike për Bashkinë e Durrësit.

Duma është shrehur edhe njëherë se prioriteti i qeverisjes së saj vendore në qytetin bregdetar do të jetë punësimi, për të cilin premton se ka gati një program për bujqësinë dhe agroturizmin, që vjen edhe në mbështetje të nevojave të fermerëve të Durrësit.

“Punësimi do të jetë kolona jonë e parë, sidomos për të rinjtë. Do të motivojmë të gjithë për të hapur vende të reja pune. Kemi një program për bujqësinë, që do të jetë pro kërkesave tuaja. Ju dua bashkë me mua në këtë projekt të madh, me shumë sfida. Do të fillojmë një projekt më të mirë për të gjithë ju. Për mua, i pari është punësimi”, është shprehur Duma.

Top Channel