Rama në Gjirokastër: Varfëria nuk do të ketë më vend në këtë qytet

10/05/2015 00:00

Gjirokastra ka qenë ndalesa e radhës për krerët e koalicionit për ‘Shqipërinë Europiane’.

Zamira Rami do të jetë kandidatja e përbashkët për këtë qytet.

“Kam një dëshirë të pamasë për Gjirokastrën tonë që është vendlindja ime, është vendlindja e fëmijëve të mi, është vendi që unë kam zgjedhur të jetoj dhe nga i cili nuk kam menduar asnjëherë të largohem”, shprehet kandidatja e mazhorancës në Gjirokastër, Zamira Rami.

Kreu i Kuvendit dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta theksoi se Gjirokastra si një destinacion prioritar turistik do të marrë një mbështetje edhe më të madhe duke i dhënë atë vend që i takon këtij qyteti.

“Jo rastësisht Gjirokastra është një destinacion kryesor për të gjithë turistët që vizitojnë Shqipërinë dhe gjithnjë e më shumë po bëhet më e kërkuar. Kjo do të thotë se duhen shtuar investimet duhen shtuar të gjitha përpjekjet për të nxjerrë më në pah të gjitha vlerat e këtij qyteti të jashtëzakonshëm”, tha Ilir Meta.

Por, pse sipas Kryeministrit Rama në 21 qershor çdo familje shqiptare duhet të votojë “Aleancën për Shqipërinë Europiane”?

“Në 21 qershor do të votohet për të zgjedhur kush garanton shërbim më të mirë në çerdhe, në shkolla, spital, transport, në qytet, ai i PD-së ose kandidatja jonë?”.

Ndaj sipas Kryeministrit zgjedhja është e qartë përmes dy alternativash asaj të zhvillimit dhe asaj të regresit.

“Tani imagjinojeni vetë, ta mendojmë për një moment sikur po e votojmë kandidatin e PD-së. E çdo të bëjë ai? Do të dalë atje në kala e do të bërtasë, ‘poshtë qeveria; po më bllokon qeveria; nuk na lë qeveria’. Kjo, sepse PD-ja nuk ka një ofertë për qytetin, për asnjë qytet, ka vetëm një qëllim banal, të mbajë ‘SHQUP’-in me punë dhe oksigjen”, shprehet Rama.

Më parë krerët e aleancës së majtë kanë prekur zonën e bregdetit duke u ndalur në Himarë ku kërkuan mbështetjen për kandidatin e përbashkët Goro.

“Të gjithë himarjotët të bëhen bashkë dhe të votojnë programin tone të përbashkët, programin e qeverisë dhe të Goros për të rilindur bregdetin dhe për ta kthyer të gjithë këtë zonë në një motor të zhvillimit ekonomik për të gjithë vendin”, tha Kryeministri Rama.

“Për kandidatin tonë, nuk mund të themi që është rikandidim, pasi kemi të bëjmë me një bashki të re të Himarës dhe është një ndryshim historik që do t’i japi efektet e tij dhe do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në të gjithë bregdetin”, u shpreh Meta.

Të dy krerët, Meta e Rama premtuan një mbështetje të jashtëzakonshme për Himarën në bazë projektesh të shumta që qeveria do t’i realizojë menjëherë pas rizgjedhjes së zotit Goro.

E në këtë këndvështrim për të treguar vëmendjen e qeverisë ndaj kësaj zonë Kryeministri Rama inspektoi punimet për ndërtimin e dy ujësjellësve të rinj në Dhërmi që i japin fund një problemi më se 1 mijë vjeçar me ujin në këtë zonë, siç tha Kryeministri.

Që prej këtij sezoni të ri turistik, qoftë pjesa e qytetit, qoftë ajo e plazhit siç theksuan ekspertët e fondit të zhvillimit do të kenë ujë 24 orë dhe me standarde të larta.

Ndërkohë kreu i LSI-së ka qenë edhe në Selenicë e Delvinë, ku ka kërkuar votën për kandidatët e koalicionit në këto dy zona.

Top Channel