SHBA, qëllohen për vdekje dy oficerë policie në Mississippi

10/05/2015 00:00

Dy oficerë të tjerë policie janë qëlluar për vdekje teksa ishin në krye të detyrës, në Hattiesburg të Mississippit, orëve të vona të së shtunës, bëjnë të ditur zyrtarë të Departamentit të Policisë.

Të dy ata ndërruan jetë për shkak të plagëve të marra, edhe pse u dërguan me urgjencë drejt një spitali lokal, raportojnë mediet amerikane, duke cituar përfaqësuesin e Mjekësisë Ligjore, Butch Benedict, të Forrest County. Ai i ka identifikuar të dy viktimat; 34-vjeçari Benjamin J. Deen dhe 25-vjeçari Liquori Tate.

Policia ka arrestuar dy të dyshuar, Marvin Banks dhe Curtis Banks, siç raportohet nga rrjete televizive lokale, të cilët mësohet të kenë përdorur makinën e policisë për t’u larguar në vendngjarja, e që më vonë u gjet e braktisur.

“Burrat dhe gratë që dalin jashtë çdo ditë e çdo natë për të na mbrojtur neve, për të na siguruar ne një jetë më të qetë dhe pa telashe, u goditën sot (dje)”, tha kryebashkiaku i Hattiesburg, Johnny DuPree. “Hera e fundit që ka ndodhur diçka e tillë ka qenë rreth 30 vjet më parë në Hattiesburg”, shtoi ai, duke u angazhuar se autorët e këtij sulmi do të përballen me drejtësinë.

Sipas një gazete në Jackson, vrasja e fundit e një oficeri policie në Hattiesburg ka ndodhur në prag të Vitit të Ri të vitit 1984. Sipas të njëjtit burim, Tate ishte një i diplomuar së fundi në Akademinë e Policisë, ndërsa Deen ishte një oficer me eksperiencë, i cili u shpall edhe si oficeri më i mirë i vitit 2012 në qytetin në fjalë.

Policia në Oksford të Mississippit publikoi një mesazh ngushëllimi në Tëitter. Të dy oficerët e policisë së Hattiesburgut ndërruan jetë. E tmerrshme! Lutjet shkojnë për të gjithë komunitetin dhe familjarët”, lexohej në rrjetin social.

Top Channel