Incidenti me “Airbus A400M”, 4 viktima dhe 2 në gjendje të rëndë

10/05/2015 00:00

Një avion “Airbus A400M”, që shërbente për transport ushtarak është përplasur në Sevije të Spanjës gjatë së shtunës, duke lënë të vdekur 4 anëtarë të ekuipazhit testues, si dhe duke detyruar Britaninë e Gjermaninë të zbresin në terren transportuesit e rinj të trupave dhe mallrave.

Avioni pritej të dorëzohej te një tjetër vend anëtar i NATO-s, Turqia, dhe u ngrit në testimin e parë fluturues, kur u rrëzua në një fushë 1,6 km në veri të Aeroportit “San Pablo” të Sevijes. Ky është edhe incidenti i parë i një “A400M” në historinë e forcave të Aleancës së Atlantikut Verior.

Vetë kompania “Airbus” tha se 4 punonjësit spanjollë mbetën viktima të incidentit, ndërsa 2 anëtarë të tjerë të ekuipazhit i mbijetuan, por janë në gjendje kritike për jetën në spital. E përditshmja “El Pais” bëri të ditur se ekuipazhi kishte zbuluar një defekt dhe kishte kërkuar leje për t’u ulur, por për fat të keq goditi një këmbë ure elektriciteti gjatë përpjekjeve për ulje emergjente.

Pamje gjurmimi nga faqja e internetit “Flightradar24” treguan se avioni kishte ulur rrotat e krahut të majtë, përpara se të zbriste në pistë. Një zëdhënës i “Airbus”-it refuzoi të komentonte mbi shkaqet e mundshme të këtij incidenti, ndërkohë që kompania ka dërguar një grup hetimor në vendngjarje.

Përplasja e fundit i jep një goditje të re projektit më të madh të mbrojtjes së Europës, që ende po vuan nga vonesat dhe tejkalimi i kostove, që çuan në ndihmën kundër falimentit të qeverisë europiane në vitin 2010. Britania dhe Gjermania kanë bërë të ditur se kanë pezulluar fluturimet e “A400M”, në pritje të më shumë informacioneve se çfarë e shkaktoi incidentin.

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, duke folur për gazetarët në vendngjarje, kërkoi transparencë maksimale nga “Airbus”-i për shkaqet e rrëzimit.

Top Channel