Elbasan, breshëri shkatërron bujqësinë

10/05/2015 00:00

Reshjet e forta të breshërit të rëna pasditen e së shtunës në disa fshatra të Elbasanit kanë shkaktuar dëme të mëdha në kulturat bujqësore të qindra fermerëve.

Banorët e fshatit Shijon, në komunën Bradashesh, shprehen se janë dëmtuar totalisht kulturat bujqësore, por edhe pemëtaria si pjeshkët, kumbullat, qershia etj. Ata thonë se intensiteti i breshërit ishte shumë i madh, duke rrëzuar gjithçka përtokë.

Të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, banorët i kanë bërë thirrje qeverisë që t’i ndihmojë pasi këto kultura janë të vetmet të ardhura të tyre.

“Kam 12 dynym pjeshkë. Kam investuar 5 milionë lekë me pleh dhe helme. I lutemi shtetit që të vijë dhe të verifikojë dëmet”, thonë banorët.

Nuk ka ende një bilanc dëmesh, por komunat dhe drejtuesit e bujqësisë në rreth thanë se po punojnë për të përcaktuar shkallën e dëmit dhe të shikojnë mundësinë për të ndihmuar fshtarët e prekur.

Top Channel