Restaurimi i hamamit të Prizrenit, debate mes specialistëve

10/05/2015 00:00

Restaurimi i Hamamit të Gazi Mehmet Pashës në Prizren ka ngjallur reagime të shumta në opinion, për shkak të ndryshimit të pamjes nga ajo që kishte për rreth 50 vjet.

Institucionet janë akuzuar nga qytetarë e intelektualë të fushave të ndryshme për ndërhyrjen, veçanërisht në kupolat e hamamit, të cilat janë lyer me materialin hidroizolator të njohur si horosan.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, tha për Top Channel se hamamit po i kthehet pamja që ka pasur para ndërhyrjeve nga pushteti jugosllav, në vitet ’60 dhe ’70.

“Para vitit 1960 ekzistojnë fotografi e regjistrime, ku janë të faktuara se kupolat përreth hamamit kanë qenë të lyera me horosan, material hidroizolator, i cili është përdorur në lyerjen e objekteve, hamameve por edhe xhamive. Në vitet 1960-1975, nga sistemi i atëhershëm jugosllav ka pasur ndërhyrje të drejtpërdrejta në largimin e horosanit dhe në vendosjen e pllakave, pamje me të cilën janë mësuar ta shohin qytetarët për ndoshta 40 ose 50 vite”, tha Samir Hoxha.

Drejtoresha e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Gjeljane Hoxha tha se hamami i Prizrenit është shpallur në mbrojtje gjatë asaj periudhe, ndaj dhe nuk duhet t’i ndryshohet pamja.

“Me rastin e shpalljes së një monumenti në mbrojtje të shtetit, i përcaktohet edhe regjimi mbrojtës. Forma, e cila është në momentin kur shpallet në mbrojtje të shtetit, nuk lejohet të ndryshohet. Ajo konsiderohet autenticitet i ndërtesës dhe çdo ndryshim i pamjes së fundit pas shpalljes kërkon procedura të veçanta dhe komisione të veçanta për të ndryshuar autenticitetin, që i është përkufizuar si karakteristikë themelore në vendimin e shpalljes”, tha Gjejlane Hoxha.

Samir Hoxha tha se punimet në këtë hamam janë bërë konform standardeve për restaurim dhe konservim, si dhe janë mbikëqyrur nga ekspertë të UNESCO-s dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndërsa sipas Gjejlane Hoxhës, transformimi i një monumenti nuk mund të bëhet pa debat publik me qytetarët.

“UNESCO nuk ka të drejtë të sjellë vendime, për fatin e një monumenti në një shtet. UNESCO mbështet, i ka rregullat dhe standardet dhe asnjë ekspert, qoftë vendor apo ndërkombëtar, nuk ka të drejtë të vendosë vetëm, pa popullatën, për një transformim të një monumenti”, tha Gjejlane Hoxha, drejtoreshë e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Hamami i Gazi Mehmet Pashës në Prizren është ndërtuar në vitet 1563-1574 dhe është i vetmi në Kosovë dhe rajon me përmasa të tilla. Si tualet publik ka shërbyer deri në vitin 1944.

Aktualisht janë ndërprerë punimet restauruese për shkak të mungesës së fondeve, ndërsa parashikohet që procesi i restaurimit të përfundojë për rreth 3 vite.

Top Channel