PD, Paloka: Rama urdhëroi dhunë policore pas mitingut

10/05/2015 00:00

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi të dielën se “Edi Rama po vazhdon në rrugën e dhunës me të cilën ka nisur këtë fushatë zgjedhore”.

Sipas tij, mbrëmjen e së shtunës, kryeministri ka angazhuar “banditë militantë, të veshur me uniforma policie” për të kryer “kontrolle të dhunshme” në banesat e pjesëmarrësve në takimin e zhvilluar nga Partia Demokratike në Malësinë e Madhe.

“Partia Demokratike i paralajmëron jo vetëm urdhërdhënësit, por edhe ekzekutorët e këtyre urdhrave të paligjshme që dhunojnë qytetarët e këtij vendi për bindje politike, se, individualisht, një për një, do të japin llogari  shumë shpejt. Partia Demokratike i bën thirrje misionit të OSBE-ODIHR-it dhe përfaqësive diplomatike të BE-së dhe SHBA-së, të monitorojnë nga afër këtë përshkallëzim të dhunës dhe terrorit qeveritar. Ne i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të nisin menjëherë hetimet dhe të venë para përgjegjësisë dhunuesit dhe urdhëruesit e dhunës policore”, tha Paloka.

Top Channel