Supertajfuni Noul kërcënon Filipinet, evakuohen 1200 rezidentë deri tani

10/05/2015 00:00

Supertajfuni, siç është cilësuar ai me emrin Noul, po u afrohet brigjeve verilindore të Filipineve këtë të dielë, duke detyruar forcat e armatosura të evakuojnë me qindra banorë dhe të paralajmërojnë shumë të tjerë për përmbytje dhe rrëshqitje dherash, në rajonin malor që do të preket prej tij.

Stuhia, së cilës vendasit i referohen si “Dodong”, preku tokën pasditen e së dielës me orën lokale, kryesisht në ishullin Luzon, pranë qytetit të vogël Santa Ana, siç bëri të ditur PAGASA, agjencia qeveritare filipinase që merret me monitorimin e motit.

Erërat e fuqishme të Noulit pritet të arrijnë një shpejtësi nga 260 km/h deri në 315 km/h.

“Erërat dhe shirat janë vetëm një hap larg dhe priten të afrohen brenda pak orësh”, tha studiuesi i stuhive James Reynolds nga Santa Ana. Autoritetet kanë bërë të ditur se kanë evakuuar mbi 1200 rezidentë në zonat që pritet të goditen më ndjeshëm, duke i zhvendosur ata në qendrat e përkohshme të strehimit, të ngritura përpara mbërritjes së tajfunit.

Në Santa Ana, qytet i vogël me mbi 30 mijë banorë, peshkatarët tërhoqën varkat e tyre që herët në mëngjes, ndërsa bizneset kanë mbyllur dyert e dritaret, duke i siguruar nga erërat e forta. “Njerëzit këtu po e marrin shumë seriozisht”, tha Reynolds.

Top Channel