Raul Castro viziton Papa Françeskun

10/05/2015 00:00

Presidenti kubanez, Raul Castro, është ndalur të takojë Papa Françeskun në Vatikan, gjatë kthimit të tij nga Moska, ku mori pjesë në paradën ushtarake të Rusisë, organizuar për të shënuar 70-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Lideri komunist ka falendëruar kreun e Kishës Katolike, që ndihmoi në afrimin e Kubës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Falenderova Papën për gjithçka ka bërë këto kohë. Nëse vazhdon në këtë mënyrë, personalisht do t’i kthehem Kishës dhe do të filloj të lutem”, u shpreh Castro.

Kisha Katolike ka iniciuar një sërë takimesh sekrete për të afruar Amerikën me Kubën. Bisedimet përfshinë edhe Papa Frençeskun, deri në momentin e marrëveshjes për heqjen e embargos, që SHBA kishte vendosur ndaj Kubës pas revolucionit në vitin 1959.

Papa Françesku do të bëjë një ndalesë në Kubë në shtator të këtij viti, në rrugën e tij drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo do jetë vizita e tretë e një kreu të Vatikanit në vendin komunist.

Ndërkohë, Raul Castro ka qenë në Vatikan edhe njëherë tjetër, në vitin 1997, si ministër i Mbrojtjes. Vizita e tij ishte pjesë e takimeve për organizimin e vizitës së Papa Gjon Palit që do bëhej në vitin pasardhës.

Në vitin 1996, Papa Gjon Pali u bë kreu i parë i Kishës Katolike që priti një lider kubanez, ku vëllai i Raul Kastros, Fideli vizitoi Vatikanin.

 

Top Channel