Reforma në drejtësi, kritika Nishanit. Naço: Nuk ndëshkohen gjykatësit që fshehin pasurinë

10/05/2015 00:00

Ministri i Drejtësisë apeloi sërish ndaj atyre që, sipas tij, janë bërë pengesë për reformat në drejtësi, mes tyre edhe Presidenti i Republikës.

Nasip Naço, në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, u shpreh se reformat në drejtësi po pengohen për të mbajtur drejtësinë në gjendjen që është: “Presidenti ka manifestuar garanci në qëndrimin e institucionit, por, për mendimin tim, në rastin e propozimeve për ndryshime nga mazhoranca, nuk ka qenë edhe aq pozitiv. Nuk kanë patur vullnetin as të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ka gjithmonë ankimime për të qëndruar në këtë gjendje reformat në sistemin e drejtësisë”.

Naço qortoi sërish institucionin e Presidencës për neglizhencën që po tregon ndaj gjyqtarëve me pasuri të pajustifikueshme dhe deklaroi se do të kryejë inspektime të reja ndaj gjyqtarëve të akuzuar për korrupsion: “Ne do të ushtrojmë kontrolle, edhe pse do të na akuzojnë se po ushtrojmë presione politike. Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë kontrollet e veta i bën periferike dhe për ata me pasuri miliona euro nuk ka marrë asnjë masë. Sigurisht, do të ushtroj të gjitha kompetencat që më jep ligji dhe Kushtetuta”.

I pyetur nëse në një shekull ekzistencë të Ministrisë së Drejtësisë, se në çfarë kohe do të donte të drejtonte këtë ministri, Naço tha se është në vitin e duhur: “Jemi në kohën e duhur për ta reformuar të gjithë sistemin sepse jemi në kohën që do të bëhemi anëtarë të BE-së. Këtë kohë nuk do doja ta ndërroja me asnjë kohë tjetër”.

Top Channel