Pas përfundimit të aksionit të policisë në Kumanovë dhe publikimit të të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë, në daljen e tij të parë publike, Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski e cilësoi të gjithë atë që ndodhi në Maqedoni si një lëvizje për të krijuar destabilitet në këtë vend.

“30 persona nga grupi i armatosur i janë dorëzuar policisë. Ata do të dalin para gjykatësit dhe do të gjykohen në bazë të ligjeve të Maqedonisë. Janë gjetur edhe 14 trupa, të cilët duhet të identifikohen. Disa nga personat që dje morën pjesë në përleshje kanë qenë pjesëmarrës edhe në incidentin e Gushincës. Një nga qëllimet e tyre ishte destabilizimi i Maqedonisë”, tha Gruevski.

Ai e cilësoi këtë operacionin si një ndër më të vështirët, por të mbyllur me sukses, sipas tij.

“Dje dhe sot, pas një përleshjeje 24 orëshe policia maqedonase arriti të asgjësojë grupin e armatosur. Aksioni i djeshëm ishte një ndër aksionet më të vështira deri më tani. Aksionin e kanë koordinuar dhe udhëhequr profesionistë të MPB-së. Gjatë aksionit kanë marrë pjesë të gjitha bashkësitë etnike. Kanë zhvilluar një aksion heroik, duke arritur të asgjësojnë grupin e armatosur. Për fat të keq, 8 policë kanë humbën jetën. Humbëm 8 persona, të cilët penguan ndoshta vdekjen e 8 mijë njerëzve”, tha Gruevski.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri i Maqedonisë u shpreh se veç 8 efektivëve të policisë të vrarë, ka dhe 37 policë të plagosur.

 

Top Channel