Halim Kosova: Trajtim i barabartë qytet-fshat

10/05/2015 00:00

Nga Berzhita dhe Krraba, dy ndalesat e radhës së kandidatit për kryetar bashkie të Partisë Demokratike, Halim Kosova premtoi se bashkia nën drejtimin e tij do të ketë një nënkryetar që do të merret vetëm me komunat.

“Një nga nënkryetarët e bashkisë së ardhshme do të jetë i angazhuar totalisht me problemet e komunave dhe të fshatrave përreth. Kjo e para. Dhe e dyta: meqënëse gjithandej po shoh që problemi i pronave është shqetësues, që njeriu e punon tokën dhe nuk e di e ka apo nuk ka, dhe kjo figuron brez pas brezi tek tjetri, do të ketë një zyrë juridike falas, e cila do të jetë nën mbikëqyrjen, sigurisht timen, për mbarëvajtjen e punës në ndihmë të çdo njeriu që ka probleme me pronën”, u shpreh Kosova

Duke iu referuar krizës ekonomike në vend, Kosova u shpreh se Bashkia e Tiranës do të bëjë gjithçka për të lehtësuar qytetarët.

“Jeta e qytetarëve po rëndohet përditë, qoftë për energjinë, qoftë për taksat, qoftë për çmimet, qoftë për borxhin që çdo njeri ka. Absolutisht që jam në dijeni. Unë, çdo mundësi që Bashkia e Tiranës do të ketë, do ta shfrytëzoj për të lehtësuar biznesin, për të lehtësuar qytetarët, me çdo mundësi”, vijoi kandidati i PD-së për Tiranën.

Më herët, Halim Kosova ishte dhe në zonen e Baldushkut. Banorët e kësaj zone u ankuan se dy vitet e fundit kanë ndërprerje të subvencioneve për bujqesinë nga qeveria, ndërkohë që kërkuan zgjidhje edhe për nxjerrjen në treg të prodhimeve.

Tregu i ri i fruta-perimeve është në anën tjetër të qytetit, në Kashar, dhe kostoja është shumë e lartë. Zgjidhja më e mirë, sipas Kosovës, është që bashkia të kryejë një rol rregullator mes prodhuesve dhe tregtarëve, ku secili ka fitimet e veta, përfshirë edhe qytetarin.

“Mendoj që më e lehta dhe më praktikja është që ju të mos lodheni t’i çoni gjërat në Tiranë, por ne të krijojmë një sistem menaxhimi midis jush dhe qytetarëve që kanë nevojë, pra ajo që ju prodhoni të shkojë aty ku duhet. Është shumë më mirë për ju, por është shumë më mirë edhe për qytetarët e Tiranës, që në çmim mos të kenë dhe kostot e tjera shtesë”, tha Kosova.

Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, mes banorëve që dhanë mbështetje për Halim Kosoven, ishte edhe një drejtues socialist i zonës, por edhe nje koleg i tij i vjetër, që e vlerësoi maksimalisht dr. Kosovën për aftësitë menaxheriale.

 

Top Channel