Familja Fazliu ka ardhur nga Kumanova në Preshevë ku ka të afërmit e saj, për të shpëtuar nga tensioni dhe tmerri i krijuar pas ndërhyrje të forcave maqedonase.

Atyre u është djegur shtëpia gjatë përleshjeve të fundit dhe nuk e dinë se si do të jetë fati i tyre. Shkurt, arrijnë të mbledhin emocionet dhe të tregojnë pak për ngjarjen.

“Situata ishte shumë e rëndë. Ne jemi tmerruar, ndërsa shtëpitë na i kanë djegur”, shprehet Sebehate Fazliu, një qytetare nga Kumanova.

Lugina e Preshevës është afër Kumanovës dhe shqiptarët në të dy anët e kufirit kanë lidhje familjare. Por, kjo në këtë zonë te shqiptarët në Serbi ndikon edhe në atmosferën e përgjithshme dhe krijimin e tensioneve.

Mbi 700 refugjatë ndodhen në Preshevë. Udhëheqësit shqiptarë thonë se policia kufitare nuk lejon shqiptarët e Maqedonisë të hyjnë në Serbi.

“Ne e konsiderojmë të padrejtë që qytetarët të kthehen në vatrën e zjarrit. Shqiptarët janë dëbuar nga forcat speciale të policisë maqedonase”, tha Ragmi Mustafa, kryetari i Preshevës.

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, ka bërë thirrje tek shqiptarët e Luginës ta dinë se atdheu i tyre është Serbia dhe se ata janë të respektuar si qytetarë.

Në këtë zonë, që është edhe në kufi me Kosovën, janë shtuar forcat e sigurisë.

Mediat serbe shkruajnë bindshëm se ky është fillimi i Shqipërisë së madhe, ndërkohë në Preshevë janë dëgjuar krismat nga Maqedonia.

“Do të përpiqemi që të krijojmë kushte për pritjen e çfarëdo vale të shqiptarëve që nisen nga Kumanova në drejtim të Preshevës”, tha Ragmi Mustafa.

Të ikurit e Maqedonisë, duke jetuar në një trekëndësh konfliktesh, nuk e dinë nëse sërish do të mbeten refugjatë apo paqja do të rikthehet.

 

Top Channel