Hapet Festivali Folklorik i Gjirokastrës

10/05/2015 00:00

U çel të dielën Festivali Folklorik i Gjirokastrës, një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore të promovimit të muzikës popullore.

Gazetarja e Top Channel, Lira Burgia, e cila ndodhet në qytetin e gurtë, solli atmosferën e krijuar atje, si dhe aktivitetet e programuara, në një lidhje direkte në edicionin qendror të lajmeve.

Për 7 ditë dhe net me radhë Gjirokastra çel dyert për mijëra vizitorë që kanë mbërritur sot, por që pritet të vijnë edhe në ditët a ardhshme, për të ndjekur ngjarjen më të rëndësishme të folklorit dhe krijimtarisë popullore shqiptare.

Në këtë edicion të dhjetë, në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës do të ngjiten në skenë rreth 1300 artistë konkurrues. Nga të cilët, rreth 1000 janë nga Shqipëria, 250 vijnë nga Kosova dhe pjesa tjetër nga shqiptarët e Maqedonisë dhe nga Mali i Zi.

Por krahas Festivalit dhe konkurrentëve do të ketë edhe shumë artistë, të cilët do të jenë të pranishëm për të interpretuar muzikën e tyre. Ata janë ambasadorë të artit shqiptarë nëpër botë. Bëhet fjalë për artistë që do të mbërrijnë nga SHBA, Turqia, Zvicra dhe nga komuniteti shqiptar i arbëreshëve në Itali.

Pikërisht, mbrëmjen e së dielës do të ketë një koncert nga Eda Zari dhe banda e saj. Ndërkohë, në ditët në vijim do të ketë koncert edhe nga violinisti Olen Cesari dhe banda e tij. Rona Nishliu, po ashtu do të interpretojë, apo edhe Vikena Kamenica.

Gjatë këtyre 7 ditëve do të ketë rrëfim të traditës shqiptare edhe përmes valleve të trevave të ndryshme, do të ketë një atelie, ku do të jepen leksione për vallen dhe kostumografinë shqiptare.

Janë parashikuar 8 ekspozita, një prej tyre do të jetë ekspozitë e Fototekës Kombëtare “Marubi”, apo edhe piktura gjirokastrite. Nuk do të mungojnë edhe panairet, që do të jenë të shumtë; ai i kulinarisë shqiptare, “Argjiro-Festë”, apo panaire të librit.

Duke filluar nga data 1 maj, përreth 6 muaj, në Milano është hapur “Expo Milano 2015”, ku Shqipëria ka pavijonin e saj. Të gjitha eventet do të transmetohen drejtpërdrejt nga kalaja e Gjirokastrës në pavijonin shqiptar, për të rrëfyer edhe atje një pjesë të traditës folklorike shqiptare.

 

Top Channel