Liria e shprehjes dhe media, Mijatoviç: Hapa pas jo vetëm në Ballkan

11/05/2015 00:00

“Liria e shprehjes dhe media” janë analizuar në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Jashtme në 20-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati nuk e ndau këtë temë nga zhvillimet e fundit në Maqedoni, pasojë edhe e mungesës së lirisë së shprehjes dhe keqpërdorimit të saj, kur këtë e solli përmes citimit të një juristi të njohur amerikan.

“Drita e diellit thuhet të jetë dezinfektuesi më i mirë. Drita elektrike, polici më efiçent. Nuk është edhe aq e këndshme të flasësh sot për dezinfektim apo policim, sidomos me atë çka po ngjet në fqinjin tonë, Maqedoni, kështu që do të doja që në vend të këtyre dy gjërave të flisnim për transparencë”, u shpreh kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati.

Po aq mbështetëse ishte përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias, Dunja Mijatoviç, për prapësimin që kanë bërë jo vetëm rajoni, por edhe më gjerë “liria e shprehjes, të drejtat e gazetarëve, puna dhe jeta e tyre”, kur solli si shembull Ukrainën.

Megjithatë, ai i njohur Shqipërisë progresin që ka bërë në këto vite, por ajo që përfaqësuesja e OSBE-së nënvizon është nevoja për një frymëmarrje më të madhe për median në Shqipëri, një gazetari investigative më të gjerë, larg trysnisë dhe presionit të pushtetit, sikundër siguri juridike për t’i garantuar ato.

Ashtu siç pritej, drejtuesit e Komisionit të Medias replikuan edhe në këtë panel për Autoritetin Mbikëqyrës të medias Audiovizive.

“Shefat e rregullatorit të medias, kur janë vënë nga një parti në pushtet janë konsideruar si disi të politizuar nga partia në opozitë. Kjo ka qenë historia e këtyre 16 viteve, por për herë të parë u vendos një agjent i platformës monopoliste të transmetimeve dixhitale (numerike)”, u shpreh Genc Pollo, kryetar i Komisionit të Medias dhe Arsimit.

“Aq e papolitizuar dhe aq profesionale dhe e paanshme ishte drejtuesja e kaluar e AMA-s, saqë një javë pas shkarkimit nga Parlamenti u zgjodh një drejtuese shumë e rëndësishme e Partisë Demokratike në opozitë. Për sa i përket çështjes nëse ka konflikt interesi ose jo kryetari i AMA-s, procedura në Komision është bërë, megjithatë në dijeninë time kryetari i Komisionit të Medias, që ndodhet në krahun tim të majtë (referuar Pollos) është në gjyq për shpifje në lidhje me këtë çështje”, tha Alfred Peza, nënkryetar i Komisionit të Medias dhe Arsimit.

Nënkryetari i Komisionit të Medias, Peza solli një tregues shumë të rëndë për gjendjen e medias sot, atë të piraterisë, kur sipas studimit që citoi, vjedhja e programeve televizive bëhet në masën 80 për qind.

Top Channel