Kosova: Ulje taksës për biznesin e vogël

11/05/2015 00:00

Duke qenë se në Tiranë janë të regjistruar rreth 25 mijë biznese dhe meqë, sipas Partisë Demokratike, në dy vitet e fundit, për shkak të taksave të rritura nga qeveria rreth 5 mijë prej tyre u mbyllën, kandidati demokrat Halim Kosova bëri premtimin e parë për uljen në kufirin e fundit ligjor të një prej taksave kryesore ndaj biznesit të vogël.

“Për biznesin me xhiro vjetore deri në 2 milionë lekë të reja, nga 250 mijë lekë të vjetra shkon në 170 mijë lekë të vjetra. Për bizneset me xhiro vjetore nga 2-8 milionë, taksa ulet nga 7.5% në 5.5%, pra, 30%”, tha Kosova.

Zoti Kosova propozoi si zgjidhje për mungesën e tregjeve vënien në dispozicion të tregtarëve ambulantë ose të vegjël, mjedise në pronësi të bashkisë, në mënyrë që të stimulohet hapja e vendeve të reja të punës, kundrejt një tarife minimale. Duke ulur taksat dhe tarifat, Halim Kosova beson se të gjithë do të paguajnë ndershmërisht.

“Dhe do ta kuptoni të gjithë, sadopak, por të gjithë bashkë, nuk është më pak, por është një shumë e konsiderueshme, e prekshme për secilin. Nuk vij me ëndrra. Këtë e kam bërë për sistemin shëndetësor”, deklaroi Kosova.

Kur foli për këtë pjesë, Halim Kosova kishte dëgjuar ankesa për mbyllje të padrejtë të tregut të ish-uzinës “Dinamo”, një vendim konsensual mes bashkisë demokrate dhe qeverisë socialiste. Duke premtuar transparencë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, Halim Kosova vuri në pah ndershmërinë dhe integritetin e tij, i sprovuar siç tha, jo vetëm në përballjen me firmat e mëdha farmaceutike në drejtimin e maternitetit, por edhe gjatë kohës së shkurtër të ministrit së Shëndetësisë.

“Nuk e kam të fshehtë që për një muaj punë isha bërë milioner, aq sa nuk kam fituar për 20 vjet në klinikë ose në punë jashtë orarit, por kam thënë diçka: nuk ka çmim që më blen mua, sepse ky është ilaçi jo vetëm për Tiranën, por edhe për Shqipërinë. Atë që kam bërë për pacientin, do të bëj për banorët e Tiranës”, u shpreh kandidati.

Halim Kosova nuk ngurroi të përdorë në favor të vet edhe sloganin elektoral të rivalit të tij kryesor, “drejtimin e duhur” të Erion Veliajt: “Me punë dhe dinjitet, bashkë do t’ia ndërrojmë faqen qytetit në drejtimin e duhur, me shpejtësinë  e duhur”.

Top Channel