Bombardohet anija turke në Libi, 1 i vdekur; rriten tensionet

11/05/2015 00:00

Një anije turke mallrash është bombarduar teksa udhëtonte drejt protit Tobruk dhe është sulmuar sërish teksa tentonte të largohej para sulmit të parë.

Lajmin e bën të ditur Ministria e Jashtme e Ankarasë, sipas të cilës anija po lundronte në ujërat ndërkombëtare. Nga sulmi, një person ka vdekur dhe anëtarë të tjerë të ekuipazhit janë plagosur.

Anija “Tuna-1”, që mbante flamurin e ishujve Kuk, transportonte materiale ndërtimi nga Spanja në Libi dhe ndodhej rreth 13 milje nga porti Tobruk në momentin që u sulmua.

Edhe pse i dëmtuar, mjeti lundrues ka vijuar lëvizjen dhe rezulton se ndodhet ende në det.

“Dënojmë ashpër këtë sulm të ulët ndaj një anijeje civile në ujëra ndërkombëtare dhe mallkojmë ata që e kanë kryer”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme turke, në të cilën megjithatë nuk saktësohen autorët e sulmit.

Në muajin shkurt, kryeministri i njohur i Libisë, Abdullah al Thani kishte vendosur ndërprerjen e marrëdhënieve me Ankaranë për shkak të mbështetjes së supozuar të saj ndaj rebelëve islamikë, përmes furnizimit me armë, duke dëbuar nga vendi kompanitë turke.

Nga ana e saj, Turqia u përgjigj duke thirrur ambasadorin e saj në Libi.

Ndërkohë, një burim ushtarak i cituar nga një media libiane ka deklaruar se ngarkesa turke është goditur nga aviacioni teksa ndodhej në “ujëra territoriale libiane, në afërsi të portit të Dernës”, qyteti-kalifat i ISIS, “duke shkelur embargon mbi furnizimin me armë”.

Top Channel