Kriza e emigrantëve në Mesdhe, BE propozon skemë kuotash për refugjatët

11/05/2015 00:00

Komisioni Europian i prezanton këtë të hënë vendeve anëtare të BE-së planin e pranimit të refugjatëve në bazë të një skeme kuotash, çka nuk pritet të kalojë pa diskutime.

60 mijë vetë, sipas Kombeve të Bashkuara, janë përpjekur të kalojnë Mesdheun këtë vit. 1800 prej tyre kanë humbur jetën deri tani, një numër ky 20 herë më i lartë se e njëjta periudhë e vitit që kaloi.

Emigrantët që i hyjnë këtij rrugëtimi pa asnjë garanci se do ta çojnë deri në fund, sipas Amnesty International, bëhen pre e abuzimeve të llahtarshme në Libi.

Sistemi i kuotave është më i fundit i serisë së hapave që do të ndërmerren nga blloku, me qëllim frenimin e tragjedive të konsumuara kaq shpesh kohët e fundit përpara portave të Europës.

Ato do të përcaktohen nga një sërë faktorësh, përfshirë popullsinë e një vendi, treguesit ekonomikë dhe numrin e azilkërkuesve të pranuar më përpara. Gjermania, e cila vetëm në vitin 2014 ka marrë 200 mijë aplikime për azil, është një nga mbështetëset kryesore të idesë.

Vende si Italia e Malta, ku përplaset vala kryesore e emigrantëve të mbërritur me varka nga deti, kërkojnë gjithashtu ndarje me të drejtë të përgjegjësisë mes shteteve anëtare. “Kuota është çështje drejtësie, ashtu siç nuk është azili gjest mëshire, por një e drejtë njerëzore”, u shpreh kancelari austriak Werner Faymann.

Jo të gjithë ndajnë megjithatë të njëjtin mendim. Mbreteria e Bashkuar rreshtohet ndër kritiket më të egra të skemës në fjalë.

“Britania ka një histori të ofrimit të azilit, e cila na bën të ndihemi krenarë, por nuk besojmë se zgjidhja e këtij ngërçi është një sistem i detyrueshëm pranimi. Ne do të kundërshtojmë çdo propozim të Komisionit Europian për vendosjen e kuotave jo-vullnetare”, deklaroi një zëdhënës i ekzekutivit britanik.

Sistemit të kuotave i kundërvihen edhe liderët e Hungarisë, Sllovakisë dhe Estonisë, më i drejtpërdrejti nga të cilët është kryeministri hungarez Viktor Orban, e cilësoi këtë nismë “një ide të çmendur”.

 

Top Channel