Familja e William, Harry: Më frymëzon të krijoj familjen time

11/05/2015 00:00

Princi Harry ka pranuar se, duke parë familjen e vëllait të tij të rritet, i zgjohet dëshira që edhe ai të martohet e të ketë fëmijët e tij.

30-vjeçari ka pasur një sërë lidhjesh serioze, përfshirë ato me Cressida Bonas dhe Chelsy Davy, por nuk përfunduan në martesë.

Por teksa vijoi turin e tij në Zelandën e Re, ai ka pranuar se do të dëshironte të kishte dikë përkrah për të ndarë ‘presionin’ e rolit mbretëror.

Gjatë udhëtimit një-javor, ai ka vizituar çdo cep të Zelandës së Re, pasi qëndroi një muaj me Forcat e Mbrojtjes së Australisë. Por është e qartë se princi e ndjen mungesën e një njeriu të veçantë për të ndarë vitet e tij të ardhshme.

“Sigurisht që unë dua të kem fëmijë tani, por është një proces që duhet kaluar dhe ture të tilla të japin shumë kënaqësi, shpresë se po bëj gjithçka mirë për veten. Do të ishte shumë mirë të kisha dikë pranë meje për të ndarë presionin, por ju e dini, koha do të vijë dhe çfarë duhet të ndodhë, do të ndodhë”, ka thënë princi.

 

Top Channel