Padija për shpifje, Tahiri-Palokës: Eja në gjykatë

11/05/2015 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahirim, i cili ka paditur për shpfije kreun e grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, nuk shikon asnjë mundësi pajtimi gjyqësor me të.

Për shkak se posta nuk ia kishte dalë të njoftonte Palokën për procesin e hapur kundër tij, ministri Tahiri shfrytëzoi mediat jo vetëm për ta vënë në dijeni deputetin demokrat, por edhe për ta këshilluar që të mos ketë frikë nga drejtësia.

“Unë po prirem ta besoj që ai nuk ka marrë njoftim, por shpresoj që seancën tjetër ai të marrë njoftim, të gjejë kurajo, të vijë në gjykatë dhe të vërtetojë akuzat ndaj meje. Në të kundërt duhet të mbajë përgjegjësi për akuzat që ka bërë ndaj meje”, deklaroi Tahiri.

Ministri i Brendshëm u shfaq kritik kundër gjyqësorit javën e fundit kur u shpreh se ky sistem vepron me dy standarde. Të njëjtën gjë ai përsëriti edhe në derën e Gjykatës së Lartë.

“Unë nuk mendoj që qytetarët pranojnë që drejtësia të jetë me dy standarde, një për pushtetarët dhe një për qytetarët”, tha Tahiri.

Shpifja është vepra që vijon të përballë politikanët shqiptarë edhe në Gjykatën e Lartë. Megjithatë, nga 9 çështje që u hapën vitin e kaluar, të gjitha janë pushuar.

Paditë për shpifje ndaj politikanëve:

2010 Aneta Rama-Sali Berisha

2011 Asllan Dogjani-Fatos Hoxha
        Agron Çukaj-Ermonela Felaj

2012 Genc Pollo-Taulant Balla
        Dashamir Peza-Sali Berisha

2013 Sali Shehu-Enkeljd Alibejaj

2015 Edi Rama-Arben Ristani
        Edi Rama-Edi Paloka
        Saimir Tahiri-Edi Paloka

Top Channel