Britani, Cameron riformaton kabinetin; pritet fjalimi i parë pas rizgjedhjes

11/05/2015 00:00

Kryeministri britanik, David Cameron është në përfundim të riformatimit të kabinetit të tij, ku sipas mediave janë promovuar gratë në dikasteret kyçe.

Kështu, Amber Rudd është caktuar sekretare për Energjinë dhe Ndryshimet e Klimës, ndërsa Priti Patel do të jetë ministre e Punësimit.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson nuk do të jetë ministër, por do të ndjekë mbledhjet politike të konservatorëve.

Zoti Cameron deklaroi se, “Johnson do të vazhdojë përkushtimin e tij si kryebashkiak i Londrës deri në përfundim të mandatit”.

Cameron pritet të mbajë më vonë gjatë ditës një fjalim për mbështetësit e konservatorëve, për herë të parë që nga fitorja në zgjedhje fundjavën e kaluar.

Partia e tij fitoi një shumicë me 12 mandate plus në Parlament në zgjedhjet e së enjtes, duke marrë 331 nga 650 ulëse.

Kur ligjvënësit të kthehen në Westminister, shefi i qeverisë do të bëjë thirrje për përpjekje të mëdha për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.

Sipas BBC, që citon pjesë të fjalimit të kryeministrit, ai do të thotë: “Mandati im i parë ishte për të ndrequr dhe për të rekuperuar. I takoi partisë tonë të rivendosë ekonominë në binarët e duhur pas reçesionit të madh laburist dhe mandati i ri është për ringjalljen e saj”.

“Do të jetë detyra jonë të rikthejmë ndjenjën e ndershmërisë në shoqërinë tonë, ku ata që punojnë shumë dhe bëjnë gjënë e duhur të kenë mundësi të përfshihen”, pritet të thotë Cameron.

Top Channel