Një filmim i gjatë rreth 50 sekonda, me pamje të pushtimit nazist të Greqisë në vitet 1941-1944, që u mori jetën mbi 20 mijë personave dhe shkaktoi dëme prej qindra mijëra miliardë euro, projektohet vazhdimisht në ekrane gjigande në 35 stacionet e metrosë së Athinës.

Videoja është pjesë e një fushate ndërkombëtare të ndërmarrë nga qeveria greke për të marrë nga Gjermania dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në pamjet e transmetuara shihen qartë avionët gjermanë që fluturojnë mbi greqi, shoqëruar me titrat “Lufta e Dytë Botërore, rezistenca, nuk harrojmë”.

Një seri fotosh në bardhezi tregojnë ngjarje të dhunës në lokalitete të ndryshme të vendit, për të kujtuar koston e jetëve njerëzore që u ka kushtuar grekëve.

Por për Berlinin zyrtar çështja e dëmshpërblimeve është mbyllur pas marrëveshjes së vitit 1960, kur Gjermania i dha Athinës 115 milionë marka.

Për më tepër, sipas qeverisë gjermane, çështja u zgjidh edhe në vitin 1990, kur pas unifikimit të Gjermanisë, Berlini firmosi një traktat në të cilin të gjitha vendet e përfshira në konfliktin botëror, me gjithë Greqinë, hoqën dorë nga kërkesat pasi dolën fituese.

Top Channel