Sejko: Ulja e normës së interesit, kursime bizneseve

11/05/2015 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko deklaroi se ulja e normave të interesit i ka kursyer bizneseve dhe individëve që kanë kredi një kosto vjetore deri në 1 për qind të prodhimit kombëtar.

“Me një llogari të përafërt, nga ulja e normës së interesit biznesi dhe qytetarët që kanë kredi kursejnë 82 milionë euro në vit, që mund t’i përdorin për qëllime të tjera”, tha Sejko.

Në fakt, ky përfitim i kredimarrësve është humbje për ata që kanë kursime. Kjo ka qenë një politikë e qëllimshme e Bankës së Shqipërisë për të nxitur konsumin dhe kreditimin e ekonomisë. Por, edhe pse normat janë ulur fort, rritja e kredisë ka qenë minimale me vetëm 2.3 për qind.

“Problemet e zhvillimit ekonomik nuk kanë të bëjnë vetëm me çmimin e fondeve, pasi ekonomia shqiptare ndodhet në një ambjent të jashtëm sfidues, në një pasiguri të agjentëve ekonomikë dhe ka probleme të brendshme strukturore”, nënvizoi Sejko.

Por si mund të dilet nga ky ngërç financiar që po kalon ekonomia? Guvernatori mendon se shpëtimi janë investimet e huaja, por paralajmëroi se ecuria e tyre do të varet nga qeveria.

“Në rast se reformat strukturore të qeverisë do të bëheshin në drejtimin e duhur do të kishte një përmirësim të klimës së biznesit dhe në veçanti të investimeve të huaja. Nëse ne thithim investime të huaja, kjo do të kishte një impakt jashtëzakonisht pozitiv në ekonominë shqiptare, e cila më pas do të korrelohej dhe do të ishte e koordinuar me ndikimin e sistemit financiar”, tha Sejko.

Sipas guvernatorit, veç ndikimit në rritjen ekonomike dhe punësimin, investimet e huaja do të çlironin edhe sistemin financiar, pasi një pjesë e tyre financohen nga burime të brendshme.

Së bashku me uljen e kredive të këqija, Sejko tha se këto janë dy kushtet kryesore për rigjallërimin e kredisë.

Top Channel