PD, Bogdani: Veliaj bën shfaqje live me miliona lekë

11/05/2015 00:00

Partia Demokratike akuzon kandidatin e majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj për premtime false. Gerti Bogdani tha se ish-ministri i Mirëqenies Sociale vazhdon të japë shfaqje live, duke harxhuar miliona lekë.

“Një shfaqje live që kushton 7 milionë lekë të vjetra, tre herë në ditë, 21 milionë lekë. Para që mund t’u shkonin familjeve në nevojë. Ai vazhdon të flasë më shumë premtime boshe se të japë shpresë, premtime që i ka bërë për dy vjet me radhë si ministër i Rilindjes”, tha Bogdani.

Në një dalje për mediat para ministrisë së Mirëqënies Sociale, deputeti demokrat tha se papunësia është rritur me 7 për qind në kohën kur Veliaj ishte ministër.

“Partia Demokratike do të jetë këtu çdo ditë për të denoncuar çdo premtim fals që nuk ka mbajtur dhe ka gënjyer qytetarët shqiptarë. Sepse siç Shqipëria nuk e meritonte këtë rilindje, dhe Tirana nuk e meriton”, tha Bogdani.

 

Top Channel